Remzi Ejupi heq dorë nga kandidatura për president të FFK-së
E mërkura ora 16:00 shihet si afati i fundit kur dorëzohen nënshkrimet, derisa deri tash kemi pasur tre kandidatë që kanë deklaruar luftën për të qenë i pari i FFK-së.
Agim Ademi, Arjanit Ahmeti dhe Remzi Ejupi ishin emrat e përfolur por ky i fundit tash edhe zyrtarisht ka hequr dorë.
Ejupi në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se nuk mund të jetë pjesë e një Kuvendi siç e quan ai jo legjitim.
“Jo nuk do të marrë pjesë në këtë kuvend për arsye se është jo legjitim dhe sigurisht që unë nuk dua të jem pjesë e një kuvendi jo legjitim”, ka thënë fillimisht Ejupi i cili ka konfirmuar se ai po punon dhe beson se kuvendi i rregullt do të mbahet me 6 korrik.
“Unë po punojë për kuvendin e rregullt që mbahet me 6 korrik. Pra nëse që Kuvendi të mbahet me 6 korri ashtu siç është legjitim, unë do të përgatitem, do të diskutoj më klube dhe atëherë do të jem kandidat, por jo tash në një kuvend jolegjitim.
Është një situatë e pakuptim, pasi po shantazhohen klubet, shantazhohen delegatët, janë bllokuar nënshkrimet dhe nuk e shoh të arsyeshme të jem pjesë e një kuvendi të tillë”, vlerësoi numri një i FC Prishtina i cili po beson se edhe klubi nuk do të jetë pjesë e kuvendit të 6 prillit.
“Ne si klub do të mbajmë një mbledhje dhe do të diskutojmë dhe besoj që as FC Prishtina nuk do të jetë pjesë e këtij kuvendi jo legjitim. I inkurajoj edhe klubet tjera të veprojnë njëjtë dhe mos të bëhen pjesë e një kuvendi të tillë. Pra duhet klubet të ulën të bisedojnë dhe të përgatiten për një kuvend të rregullt siç parashihet me 6 korrik 2022”, ka përfunduar Remzi Ejupi.