Krasniqi nuk ndalet, ngre padi ndaj Federatës, dyshon se Bosel përdori doping në meçin ndaj tij
Ish-kampioni i botës në peshën e lehtë IBO, Haxhi Krasniqi, ka ngritur padi kundër BDB-së (Federata e boksierëve profesionistë gjermanë). Tashmë padia është dorëzuar edhe në BDB. Gjykata e rrethit në Kiel ka paraqitur padinë me numrin e dosjes: 12 O 28/22.
Padia lidhet me rimeçin ndaj Dominic Bosel të 9 tetorit të vitit të kaluar, në të cilin Krasniqi kishte humbur me vendim të gjyqtarëve.
Boksieri nga Juniku gjithashtu humbi titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë. Megjithatë, Krasniqi nuk e ka pranuar asnjëherë këtë humbje, për të cilën kishte bërë ankesa të shumta.
Avokati i Krasniqit, Rene-Dirk Hundertmark, ka konfirmuar padinë e ngritur. Ai dhe ekipi i boksierit kosovar dyshojnë se Bosel kishte përdorur doping.
“Meqenëse përgjegjësit e BDB-së nuk i kanë sqaruar shkeljet e ndryshme të rregullave sportive të zbatueshme të BDB-së jashtë gjykatës, e lëre më të kenë rishikuar vlerësimin e gabuar të meçit. Tani është e nevojshme që të merret vendimi gjyqësor. Këtu përfshihen edhe devijimet nga rregulloret e vetë shoqatës për dopingun, të cilat nuk u shpjeguan nga BDB, pasi vendndodhja e mostrave të dopingut nuk është komunikuar deri më sot. Gjykata është duke zhvilluar procedurë paraprake me shkrim dhe me interes pritet deklarata e BDB-së për shkeljet e rregullave të ngritura dhe rolin e Kryetarit të BDB-së në këtë”, është shprehur ai.
Kurse, Haxhi Krasniqi është shprehur i lumtur që tani do të ketë një vendim gjyqësor lidhur me këtë.
“Jam shumë i lumtur që tani po bëhet sqarimi gjyqësor, sepse nuk kam qenë as i pari dhe as do të jem boksieri i fundit profesionist që jam mashtruar në një meç. Si sportistë, ne duhet të luftojmë për të drejtat tona, edhe nëse është e pakëndshme për ne dhe procesi mund të jetë i gjatë. Unë besoj në drejtësi dhe shpresoj për një vendim të drejtë dhe kuptimplotë. Unë jam gjithmonë gati të luftoj përsëri me Dominic Bosel dhe do ta mund atë për herë të tretë, por me sa duket Dominic dhe ‘SES Boxing’ nuk janë të interesuar të boksojnë përsëri sepse kam vënë re se ata duan të bëjnë gjithçka që është e mundur që unë të heqi dorë. Por, unë jam këtu dhe i gatshëm. Unë nuk heq dorë kurrë, nuk jam dorëzuar kurrë”, ka deklaruar 34-vjeçari.