A e redukton konsumimi i përditshëm i perimeve rrezikun e problemeve të zemrës?
Perimet mund të jenë të mira për ju, por të konsumoni shumë prej tyre nuk ka gjasa të zvogëlojë rrezikun e një ataku në zemër ose goditje në tru, sugjeron një studim i madh në Mbretërinë e Bashkuar. Çfarë hamë tjetër, sa ushtrime bëjmë dhe ku dhe si jetojmë mund të kenë më shumë ndikim, thonë studiuesit. Por ata theksojnë se një dietë e ekuilibruar ndihmon në uljen e rrezikut të shumë sëmundjeve, përfshirë disa lloje kanceri.
Studimi, nga universitetet e Oksfordit dhe Bristolit dhe Universiteti Kinez i Hong Kongut, u kërkoi gati 400,000 njerëzve që po marrin pjesë në studimin e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar të plotësonin një pyetësor rreth dietës së tyre, duke përfshirë sasinë e perimeve të gatuara dhe të papërpunuara që hanin çdo ditë. Shëndeti i tyre dhe çdo problem i zemrës që çoi në trajtim spitalor ose vdekje, u gjurmua më pas gjatë 12 viteve të ardhshme.
Megjithëse rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare ishte rreth 15% më i ulët për ata që hanin më shumë perime – veçanërisht ata që hanin shumë perime të papërpunuara – krahasuar me ata që hanin më pak, studiuesit thanë se kjo mund të shpjegohet me faktorë të tjerë. Këto përfshinin stilin e jetës së njerëzve – për shembull, nëse pinin duhan dhe sa alkool pinin – si dhe punët e tyre, të ardhurat dhe dietën e përgjithshme.
Si rezultat, ata thanë se studimi i tyre nuk gjeti prova të “një efekti mbrojtës nga konsumimi i perimeve” në atë se sa shpesh shfaqeshin problemet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut.
Prof Naveed Sattar, profesor i mjekësisë metabolike në Universitetin e Glasgow, tha se përfundimet e studimit kanë vend për diskutim dhe nuk duhet të ndryshojnë këshillat e përhapura për të ngrënë të paktën pesë porcione fruta dhe perime në ditë.
Pse të hani pesë porcione në ditë?
– Sipas këshillave të NHS, frutat dhe perimet janë një burim i mirë i vitaminave, si folati, dhe mineraleve, si kaliumi.
– Ato përmbajnë gjithashtu fibra, të cilat mund të ndihmojnë në mbajtjen e zorrëve të shëndetshme, parandalimin e problemeve të tretjes dhe zvogëlimin e rrezikut të kancerit të zorrëve.
– Ato mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe disa llojeve të tjera të kancerit
– Frutat dhe perimet kontribuojnë në një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar
– Zakonisht kanë pak yndyrë dhe kalori (me kusht që të mos i skuqni ose t’i piqni në shumë vaj)