Ushtari hero që veproi në Kosovë, synon medalje në Paraolimpiadën Dimërore

Ushtari hero që veproi në Kosovë, synon medalje në Paraolimpiadën Dimërore

Steve Arnold e ka një histori mjaft të veçantë. Ish-ushtari britanik kishte vepruar me mision në shumë shtete, përfshirë këtu edhe Kosovën, por për të fatale ishte eksperienca në Afganistan, ku pas një atentati i humbi të dy këmbët dhe jeta e tij ndryshoi përgjithmonë. 42 vjeçari synon të jetë i suksesshëm në Paraolimpiadën Dimërore

Pasi u arkivua Olimpiada Dimërore, është koha të koncentrohemi në Paraolimpiadë, e cila do të mbahet në Pekin nga 4 deri më 13 mars.

Në mes të shumë storjeve prekëse, ku mund të gjendet inspirimi, është edhe ajo e Steve Arnold.

42 vjeçari në borën kineze do t’i mbrojë ngjyrat e Britanisë së Madhe, duke garuar në skitari dhe në eventet e biatlonit.

Skitari britanik e ka një histori mjaft speciale: ish-ushtari i ka humbur të dyja këmbët derisa ishte duke kryer shërbim në Afganistan në vitin 2011.


Nga ajo kohë, jeta e tij ka ndryshuar përgjithmonë dhe sporti e ka ndihmuar që të shkojë përpara.

Steve Arnold e kishte çuar përpara traditën ushtarake familjare, duke iu bashkuar forcave britanike të “Royal Engineers”.

Ai i ka kompletuar shumë misione gjatë 16 vjetëve të karrierës, përfshirë këtu edhe atë në Kosovë.

Ndër të tjera, ka shërbyer edhe në Irlandën e Veriut dhe në Irak.

Por, eksperienca në Afganistan ishte fatale për të.

Në prill të vitit 2011, ai rrezikoi të vdiste, shkruan mediumi britanik “The Guardian”.


Derisa po merrej me një operacion kërkimi në një automjet, mbeti viktimë e një sulmi.

Pasojat kanë qenë të rënda për Steve, i cili i humbi të dyja këmbët.

Në atë rast, shpëtimi ishte i komplikuar për shkak të një stuhie me rërë, me Arnoldin që përjetoi momente të tmerrshme.

Menjëherë, ushtari britanik e kuptoi se jeta e tij kishte ndryshuar, që do ta mbyllte aty përvojën ushtarake dhe me vështirësitë që do të lidheshin me shëndetin e tij.

Pas rehabilitimit, atij nisi t’i kthehej buzëqeshja.

I erdhi një mundësi nga “Help for Heroes” që të merrte pjesë në një reklamë.


“Ta kesh fundin e karrierës tënde ushtarake në një moshë prej vetëm 31 vjetësh, kur je zgjedhur tashmë për t’u ngritur në pozitë, është e vështirë. Nuk e dija se çka do të bëja më pas dhe se si do ta ndihmoja familjen”, kishte thënë Steve Arnold.

Dhe, lajmet e mira për të nuk u ndalën.

Sporti ka qenë një ndihmesë e madhe për Arnold, i cili fillimisht ishte marrë me “handbike”, e më pas ka nisur të skijojë.

Nga viti 2017 e ka nisur jetën e re në borë, me kënaqësinë që lidhen me mundësinë që të garojë edhe në Kampionat Botëror.

“Ushtria ishte Plani A, çiklizmi ishte Plani B dhe tash jam në Planin C. Nuk dua që kjo të mbyllet në të njëjtën mënyrë”, ka shtuar ai.

Fatkeqësisht, Paraolimpiada Dimërore e PyeongChang kishte arritur shumë shpejt për të dhe me një mërzi të madhe, nuk mundi të merrte pjesë.


Me kokën ulur, Steve ka punuar fort dhe tash në Paraolimpiadën e Pekinit është i gatshëm të luftojë për një medalje, për atë që është një hakmarrje për të.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Kam mbetur vetëm në vitin 2018: kam hyrë në këtë sport shumë vonë dhe më duhej të bëja shumë për të arritur, kështu që nuk kisha aq shumë vullnet dhe vendosmëri në atë kohë. Ishte mjaft dëshpëruese, situatë e vështirë në dy muajt e parë, por ndoshta nuk isha gati. Kisha nevojë për këto vite të stërvitjeve”, thotë skitari britanik.

Karta e identitetit nuk i jep shumë luks garuesit.

Ai është 42 vjeç dhe është i vetëdijshëm se kjo mund të jetë Paraolimpiada e parë dhe e fundit për të.


Prandaj, dëshiron të jetë i suksesshëm dhe të fitojë medalje në këtë kompeticion.

“Nuk jam duke u bërë më i ri, jam 42 vjeç dhe e kam nisur këtë sport në moshën 37 vjeçare. Pjesa më e madhe e personave do ta mendonin më shumë pensionim në këtë moshë, sesa pjesëmarrjen në Paraolimpiadën Dimërore. E kam menduar këtë, mendoj se kjo do të jetë mundësia ime e vetme. Do të shohim se çka do të ndodhë pas kësaj, por mezi pres të marr pjesë. Do të jetë eventi më i madh në të cilin kam marrë pjesë dhe me mundësi do të jetë edhe i vetmi për mua. Kështu që, dua t’i arrij rezultatet më të mira në terren. Mezi pres t’ia dal mbanë, pas katër vjetësh gjaku, djersitjeje dhe lotësh”, përfundoi skitari britanik.

Lojërat Paraolimpike Dimërore çdo katër vjet i mbledhin sportistët me aftësi të kufizuara.

Shpërndaje në: