Barcelona zhvillon ndeshje fantastike, mposht bindshëm Valencian
Barcelona e ka mposhtur me rezultat të thellë Valencian 1:4 në kuadër të javës së 25-të në La Ligan spanjolle.
Katalonasit e kryen detyrën qysh në pjesë të parë duke realizuar plot tri herë.
Fillimisht ishte Aubameyang që realizoi golin e parë me fanellën e Barcelonës në minutën e 23-të të ndeshjes.
Nuk vonoi shumë dhe nëntë minuta më vonë, Frenkie de Jong e dyfishoi epërsinë pas asistit të bukur nga Dembele.
Për ta vulosur një pjesë të parë spektakolare të katalonasve u përkujdes sërish Aubameyang që realizoi në minutën e 38-të.
Vendasit arritën ta shënonin një gol në pjesën e parë, por u anulua pasi fillimisht në ndërtim të aksionit, topi kishte kaluar vijën anësore.
Në pjesën e dytë, Valencia tregoi “shenja jete” duke ngushtuar epërsinë përmes Soler në minutën e 53-të, i cili shënoi gol të bukur me kokë.
Por, shumë herë më i bukur ishte goli i Pedrit i cili realizoi në minutën e 63-të.
Mesfushori spanjoll u inkuadrua vetëm tre minuta më herët dhe nga një distancë e largët shënoi për 1:4, që doli të ishte edhe epilogu i këtij takimi.
Me këtë fitore, Barcelona shkon në kuotën e 42 pikëve në vendin e katërt, një më pak se Betisi, nëntë më pak se Sevilla dhe 15 më pak se Real Madridi që ka një ndeshje më shumë të luajtur.
Në anën tjetër, Valencia gjendet e 12-ta me 30 pikë të grumbulluara pas 25 ndeshjeve.