Problemet e ereksionit: Shkaqet dhe trajtimet
Kur burrat eksitohen, hormonet, muskujt, nervat dhe enët e gjakut punojnë për të krijuar një ereksion. Sinjalet nervore, të dërguara nga truri në penis, stimulojnë muskujt. Kjo, nga ana tjetër, lejon që gjaku të rrjedhë në indet e penisit.
Pasi gjaku “mbush” penisin dhe arrihet ereksioni, enët e gjakut të penisit mbyllen në mënyrë që ereksioni të mbahet. Në një moment në jetën e një burri, ai mund të ketë vështirësi në arritjen ose ruajtjen e një ereksioni.
Njerëzit mund të mos arrijnë gjithmonë me sukses një ereksion. Nëse kjo ndodh herë pas here, nuk konsiderohet problem. Për shumicën e djemve/burrave, këto probleme ndodhin herë pas here dhe nuk janë çështje serioze. Sipas Klinikës Cleveland, nuk ka arsye për shqetësim nëse problemet e ereksionit ndodhin deri në 20% të rasteve. Megjithatë, nëse nuk jeni në gjendje të arrini një ereksion të paktën 50% të rasteve, mund të keni një problem shëndetësor që kërkon kujdes mjekësor.
Shkaqet e zakonshme
Fizike: Shkaqet fizike të problemeve të ereksionit janë më të zakonshme tek burrat e moshuar. Ato ndodhin për shkak të çrregullimeve që mund të prekin nervat dhe enët e gjakut përgjegjëse për shkaktimin e ereksionit. Shkaqet fizike përfshijnë edhe probleme si sëmundjet e zemrës, ngurtësimi i arterieve, presioni i lartë të gjakut, kolesteroli i lartë, diabeti, obeziteti, sëmundja e Parkinsonit, skleroza e shumëfishtë, sëmundje të mëlçisë ose veshkave, varësia nga alkooli etj.
Shkaqe të tjera fizike përfshijnë:
– lodhje
– medikamente të caktuara
– abuzim me substanca
– përdorimi afatgjatë i duhanit
– trauma ose lëndim në palcën kurrizore ose në rajonin gjenital
– probleme të organeve gjenitale
– trajtimet për problemet e prostatës
Psikologjike: Çështjet emocionale mund të shpërqendrojnë një burrë të çdo moshe që të mos eksitohet dhe përfshijnë:
– shqetësim se mos nuk janë në gjendje që të eksitohen
– probleme emocionale
– probleme profesionale ose sociale
– konflikte në marrëdhënie
– depresion
Problemet me ereksionin te të rinjtë
Burrat e moshës 20 deri në 30 vjeç mund të përjetojnë gjithashtu probleme. Hulumtimet thonë se problemet e ereksionit tek të rinjtë kanë të bëjnë më shumë me stilin e tyre të jetesës dhe shëndetin mendor sesa me ndonjë problem fizik. Disa studime sugjerojnë se problemet e ereksionit tek të rinjtë më shpesh shkaktohen nga ankthi ose depresioni.
Trajtimi i problemeve të ereksionit: Pasi të identifikohet një shkak dhe mjeku juaj e di se sa i rëndë është problemi, bëhet e lehtë për t’u trajtuar. Opsionet për trajtimin e problemeve të ereksionit mund të përfshijnë: medikamente, ilaçe te injektuara në uretër, medikamente orale, kirurgji, pajisje vakum etj.
Ndryshimet e stilit të jetesës
Shumë nga shkaqet fizike të problemeve të ereksionit lidhen me zgjedhjet e stilit të jetesës. Përmendim këtu ndryshime pozitive si ndërprerja e konsumit të duhanit, shmangia e alkoolit, dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik, komunikimi me partnerin/en për çështjet seksuale.
Komplikime të mundshme:
Komplikimet që vijnë me problemet e ereksionit janë të rëndësishme dhe mund të ndikojnë në cilësinë e jetës. Nëse keni probleme me ereksionin, mund të përjetoni gjithashtu:
– stres dhe ankth
– vetëbesim të ulët
– probleme në marrëdhënie
– pakënaqësi në jetën seksuale