“Cili tradhtar e lejoi pjesëmarrjen e Kosovës në Beograd?”, reagim i ashpër nga Serbia pasi sportistëve kosovarë iu lejua pjesëmarrja
Ditë më parë, sportistët kosovarë u lejuan për herë të parë për të marrë pjesë në një garë ndërkombëtare të organizuar në territorin e Serbisë.
Ekipi kombëtar i Kosovës në atletikë mori pjesë në Kampionatin Ballkanik U-22, i cili u mbajt në Beograd.
Edhe pse nuk iu lejua përdorimi i flamurit shtetëror, megjithatë ekipi kosovar mori pjesë në këtë eveniment.
Dhe, ky fakt ka çuar pluhur me të madhe në Serbi.
Tashmë kanë nisur reagimet dhe kritikat ndaj atyre që i lejuan sportistët kosovarë të marrin pjesë në këtë garë.
Reagim të ashpër ndaj këtij vendimi kanë bërë edhe tifozët e Crvena Zvezdës, “Delije”.
Në ndeshjen e radhës së ekipit të tyre të zemrës, tifozët serbë e kanë shfaqur një baner apo parullë në tribuna, ku e kundërshtonin fuqishëm lejimin që ju bë sportistëve kosovarë.
“Ekipi atletik i Kosovës në garat e mbajtura në Beograd? Duart e cilit tradhtar dhe të pabesë e nënshkruan këtë? Dhe, kush e miratoi”, shkruante në banerin e shfaqur në stadiumin “Marakana”.
Në të kaluarën, sportistëve kosovarë u është ndaluar pjesëmarrja në garat që janë mbajtur në Serbi.
Por, organizatat kryesore botërore të sportit e kanë kërcënuar Serbinë dhe shtetet tjera, që, nëse nuk i trajtojnë të barabartë të gjithë sportistët, do të përjashtohen nga organizimi i evenimenteve ndërkombëtare të sportit.
Dhe, duket se shenjat e para të këtij kërcënimi tashmë kanë nisur të vërehen…