Porsche i hyn tregut të biçikletave elektrike
Jo vetëm që Porsche hyri në mënyrë drastike në tregun e veturave elektrike, ku brenda një kohe të shkurtër Taycan u bë njëri prej modeleve më të shitura, por tani është përfshirë seriozisht edhe në tregun e biçikletave elektrike, shkruan portali Bug.
Javën e kaluar Porsche ka blerë aksione në një kompani të kësaj fushe. Pasi vitin e kaluar mori përsipër pjesën më të madhe të aksioneve të kompanisë kroate Greyp, prodhuesi gjerman tani ka pronësi edhe në kompaninë Fazua, me bazë në Bavari.
Fazua merret me prodhimin e sistemeve të lëvizjes së biçikletave elektrike, dhe rreth 40 prodhues të biçikletave elektrike i përdorin motorët e tyre elektrikë në produktet e veta.
Sistemet eFazua janë unik, sepse motori elektrik dhe bateria mund të hiqen lehtë nga biçikleta – gjë që pronarëve iu lejon të përdorin biçikleta edhe pa motora dhe bateri elektrike, nëse nuk duan.
Porsche ndërkohë është bërë pronare e 20% të Fazuas, me klauzolën sipas së cilës ka të drejtë të blejë më shumë aksione, në mënyrë që në të ardhmen të bëhet pronari i shumicës së Fazuas.