Asnjë problem për ekipin e Kosovës në Beograd, ku garoi barabartë me shtetet tjera
Prej një gare së cilës nuk iu dha pompozitet medial u arrit një sukses i jashtëzakonshëm. Republika e Kosovës e ka arritur një fitore të madhe sot. Sportistët kosovarë për herë të parë morën pjesë në një garë ndërkombëtare të mbajtur brenda territorit të Serbisë, ku e përfaqësuan shtetin e Kosovës.
Bëhet fjalë për garën ballkanike në atletikë në palestër, ku Kosova u paraqit me atletët e saj dhe me mbishkrimin në gjoks.
Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, i cili gjendet bashkë me ekipin kosovar në Serbi, në një deklaratë dhënë Gazetës Express, tha se Kosova u trajtua njëjtë si shtetet tjera nga vendasit serbë.
Ai thekson se nuk ka pasur ndonjë problem dhe gara ka shkuar normalisht.
“Të them të drejtën pjesëmarrja e Federatës Atletike të Kosovës ka qenë shumë e mirë dhe atletët kanë garuar me moshatarët e tyre fort mirë. Nuk ka pasur asnjë eksces, çdo gjë në normale. Ne e kemi përfaqësu Federatën Atletike të Kosovës, anëtare e Federatës Atletike Ballkanike, Evropiane e Botërore në këtë garë të barabartë me federatat tjera”, theksoi Sylejmani për Express.
Tutje, ai tha se flamuri i Kosovës nuk është vendosur në garë pasi nuk kishte flamuj të asnjë shteti pjesëmarrës në këtë garë. Madje i pari i atletikës kosovare shprehu mirënjohje për pritjen që organizatorët ia bënë Kosovës.
“Pa flamuj të shteteve pjesëmarrse në këtë garë. Pritja nga bashkëorganizatori, Federata Atletike e Serbisë ka qenë në nivelin e duhur, jemi mirënjohës”, përfundoi Sylejmani.
Deri më sot, Kosova nuk ka marrë pjesë në gara ndërkombëtare që janë mbajtur në Serbi, përkundrazi, çdoherë janë ndaluar. Rasti më i fundit ishte kur delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës nuk u lejua tri herë të futej në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që u mbajt atje.
Kjo ndalesë nga Serbia, u kritikua shumë nga institucionet evropiane e botërore të boksit dhe sportit në përgjithësi. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pas këtij rasti e shtoi presionin mbi Serbinë, duke i kërkuar të mos i pengojë sportistët kosovarë për të marrë pjesë në garat që organizohen atje. /