“E përcaktuam vetë gjininë e fëmijës”, Angela Martini i thotë të gjitha: Pse zgjodhëm nënë zëvendësuese për ta sjellë në jetë
Angela Martini u bë nënë për herë të parë në dhjetor të vitit 2021 me një djalë. Vogëlushi erdhi në jetë me ndihmën e një mbartëseje surrogate.
Angela ka dhënë së fundmi një intervistë për “Blick”, ku ndër të tjera ka treguar se përse ajo dhe bashkëshorti zgjodhën këtë mënyrë.
“Ndihem e përmbushur dhe kam nevojë të jap shumë dashuri. Ndjeva lidhjen e fortë me djalin që në momentin kur erdhi në jetë, është e vështirë ta shpjegosh me fjalë. Për shumë arsye personale, vendosëm që fëmijën ta sjellim në jetë me nënë surrogate. Unë e di se sa e pazakontë është një procedurë e tillë në Evropë për sa i përket ligjshmërisë dhe kulturës. Por në këtë mënyrë ne mund të zgjidhnim gjininë e fëmijës sonë. Ishim në gjendje të bashkonim vezët dhe spermatozoidet tona më të forta dhe më të shëndetshme, duke eliminuar alergjitë, sëmundjet autoimune, rreziqet e kancerit e kështu me radhë”, është shprehur modelja.
Më tej ajo ka treguar se ka qenë e pranishme në sallën e lindjes dhe ka përjetuar shumë emocione. Angela dhe gruaja që zgjodhën për të sjellë në jetë fëmijën e tyre tashmë janë bërë mikesha shumë të mira.
“Flisnim çdo ditë me njëra-tjetrën, shkonim së bashku në takimet me mjekun dhe gjithmonë e kisha nën kontroll shëndetin e fëmijës tim. Kjo ishte shumë emocionuese. Në fund u bëmë mikesha. Lindja ishte shumë emocionuese për mua. Ishte e mahnitshme!”, ka thënë modelja.