Violinistja gjermane Christina Brabetz, magjepsi të pranishmit në koncertin Filharmonisë së Kosovës (FOTO)

Violinistja gjermane Christina Brabetz, magjepsi të pranishmit në koncertin Filharmonisë së Kosovës (FOTO)

Beethoven, Brahms dhe Elgar ishin kompozitorët veprat e të cilëve u luajtën në koncertin e parë të vitit 2017-të, nga Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës, me solisten Christina Brabetz nën dirigjimin e dirigjentit Boian Videnoff. Ky koncert edhe pse jo premierë, erdhi sërish suksesshëm nga Filharmonia e Kosovës, ku në fund duartrokitjet e publikut nuk munguan përgjatë disa minutave. Ky koncert erdhi me një laramani stilesh duke nis nga Bethoven Uvertura “Coriolan”, pastaj ishte Brahms me “Koncert për violinë dhe orkestër” ku për solisten gjermane Brabetz ishte hera e parë që e interpretonte. Krejt në fund rendi i erdhi Elgar “Variacionet Enigmë”, që u interpretua vetëm nga Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës mjaft fuqishëm.

Me krejt këtë koncert që sollën filarmonia mbrëmjen e së dielës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, mjaft i kënaqur u nda dirigjenti Boian Videnoff për të cilin është hera e tretë që vjen në Kosovë duke bashkëpunuar me Filharmoninë e Kosovës. Ai për KultPlus, përveç të tjerash tha se është mjaft i kënaqur edhe me zhvillimin e orkestrës, duke e krahasuar atë me kohën kur ka ardhur për herë të parë.

“Ishte një javë e mirë, kemi pas goxha punë por mendoj se ia arritëm tashmë. Jam shumë i lumtur me zhvillimin e orkestrës, pasi që, që nga shtatori që kam qenë këtu e shoh një ndryshim goxha të madh tek ta edhe pse duhet ende shumë punë. Ka qenë një program i larmishëm, kemi luajtur në disa aspekte, si për shembull tek Beethoven patëm një artikulim klasik, pra melodi klasike, ndërsa shkuam të Brahms dhe u bë një melodi romantike dhe kjo ndoshta ishte e bukura që bashkë me orkestrën sollëm stile të ndryshme ku tek Elgari arritëm pikën kulminante të romantizmit”, tha dirigjenti Videnoff, i cili poashtu nuk la pa përmendur violinisten Christina, ku ishte hera e parë që bashkëpunonte me të, dhe sipas Videnoff, Christina është një violiniste e re fantastike.

Ndërsa, për violinisten Christina Brabetz, ishte hera e parë që vinte në Kosovë. Ajo edhe pse vetëm 23 vjeçe, u mirëprit nga publiku prishtinas me shumë duartrokitje, e poashtu u vlerësua nga të gjithë.

“Kjo është hera e parë që luaj me Filharmoninë e Kosovës, hera e parë që luaj Brahms me orkestër, hera e parë që vijë në Kosovë dhe hera e parë që bashkëpunoj me Boianin, kështu që, ishte një kënaqësi shumë e madhe të interpretoj, të jem këtu dhe të njihem me të gjithë. E kam ndje mjaft shumë atmosferën, e kam ndje publikun që e pëlqeu shumë koncertin dhe mund të them që është e pazakonshme që të shkosh në një shtet tjetër dhe të presin kësisoj”, tha për KultPlus, Brabetz.

Krejt në fund, me këtë koncert u nda i kënaqur edhe i pari i këtij institucioni Baki Jashari. Ai përveç orkestrës dhe dirigjentit Videnoff, përmendi edhe violinisten Brabetz, për të cilën tha se janë krenarë që e kanë pas në mesin e tyre.

“Duke e pas parasysh reagimin e publikut, mendoj që ka qenë një koncert i suksesshëm, duke veçuar koncertin për violinë dhe orkestër nga violinistja e re e cila ishte e mrekullueshme. Këto vepra i kemi interpretuar edhe më herët, por ky interpretim i sërishëm vjen në rrethana më të favorshme. Këto vepra janë interpretuar kur orkestra ka qenë shumë më shumë e përfaqësuar nga të huajt, ndërsa tash orkestrën e përbëjnë kryesisht kosovarë dhe mund të themi që është premierë”, pohoi drejtori i Filharmonisë së Kosovës Baki Jashari.

Ky koncert erdhi si i pari për vitin 2017-të, dhe sipas drejtuesve të Filharmonisë së Kosovës, ky ishte vetëm një nisje e asaj se çfarë do të sjellë ky institucion gjatë këtij viti./KultPlus.com

Shpërndaje në: