Kosova mposhtet nga Greqia në kualifikuesen e Botërorit
Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje sot ndaj asaj të Greqisë në kuadër të sportit të hendbollit, ndeshje kjo që ishte e vlefshme për fazën kualifikuese drejt Kampionatit Botëror 2023.
Edhe në ndeshjen e dytë kundër Greqisë, “Dardanët” pësojnë humbje me rezultat të ngushtë prej një goli, respektivisht me rezultat 26:25.
Pjesën e parë të këtij takimi e hapi më mirë Greqia, ku edhe e kishte epërsinë në duar, pasi që kryesonte me rezultat 14:9.
Por, në pjesën e dytë ishte Kosova ajo e cila zhvilloi ndeshje më të mirë, ku kryesonte me rezultat 16:12, por që nuk doli të ishte e mjaftueshme për të siguruar fitoren ndaj grekëve.
Me pikët e reja, Greqia kryeson Grupin 1 të këtyre kualifikimeve me gjithsej tetë pikë, katër sosh më shumë se vendi i dytë Turqia.
Në anën tjetër, Kosova zë vendin e fundit në grup, respektivisht të katërtin me vetëm një pikë të tubuar, dy sosh larg vendit të tretë, Kombëtares së Belgjikës.
Ndeshja e radhës për Kosovën do të jetë më 12 janar, ku e pret në shtëpi vendin e dytë të këtij grupi Turqinë.
Rezultati final i ndeshjes së sotme është 26:25 në të mirë të Greqisë.