Juventusi triumfon kundër Romës me rikthim sensacional, nga 3-1 në 4-3
Juventusi e ka mposhtur Romën 4:3 me përmbysje në rezultat të dielën, në atë që ishte mbase ndeshja më dramatike deri tani këtë sezon në Serie A. Tri gola brenda shtatë minutave dhe një pritje vendimtare e Wojciech Szczesny ia fituan tri pikë bardhezinjve në Romë.
Roma e kishte epërsinë dy herë dhe kur mendoi se e kishte futur në grusht fitoren, Juventusi përmbysi çdo gjë brenda vetëm shtatë minutave në Stadiumin Olimpik.
Tammy Abraham e kaloi Romën në epërsi herët në takim, kur shënoi me kokë pas një harkimi nga këndi në minutën e 11-të.
Paulo Dybala e barazoi rezultatin në 1:1 për Juven kur e mposhti portierin Rui Patricio me një goditje fantastike jashtë zonës në minutën e 18-të.
Henrikh Mkhitaryan e kaloi skuadrën vendase në epërsi për herë të dytë, kur goditja e tij e devijuar përfundoi në rrjetën e portierit Wojciech Szczesny në minutën e 48-të.
Vetëm pesë minuta më vonë, Lorenzo Pellegrini e dyfishoi epërsinë e Romës duke realizuar gol të mrekullueshëm nga gjuajtja e lirë.
Por kjo epërsi e skuadrës së Jose Mourinhos u përmbys brenda vetëm shtatë minutave nga djelmoshat e Massimiliano Allegrit.
Manuel Locatelli e ktheu Juven në lojë duke shënuar me kokë nga afërsia në minutën e 70, para se Dejan Kulusevski ta barazonte rezultat në 3:3 vetëm katër minuta më vonë , duke shënuar nga afërsia pas një topi të kthyer.
De Sciglio e kompletoi rikthimin mbresëlënës të bardhezinjve kur shënoi për 4:3 në minutën e 77-të.