Patologjia e një dështimi
Pas investimeve prej 500 milionë eurosh në vitin 2000-2002, në Korporatën Elektroenergjetike, dhe mungesës së vazhdueshmë të energjisë elektrike, nisën të dalin në pah planet për ndërtimin e një termocentralit të ri “Kosova C” me kapacitet 2010 MW. Ishte Ministria e Energjisë dhe Minierave, e cila do ta sillte marrëveshjen afër nënshkrimit në vitin 2006, pavarësisht kundërtimeve që vinin nga të gjithë ekspertët që kishte Kosova dhe shoqëria civile.
Qeveria, e shtyrë nga Banka Botërore, USAID dhe BE, po e përkrahnin me çdo kusht një projekt gjigant, nën moton se “Kosova do të bëhet superfuqi energjetike në rajon”.
Ambientalisti Luan Shllaku do të shkruante në publikimi i tij, “Patologjia e një vonese”, se “idea e ndërtimit të një TC-je kaq të madh daton në fund të viteve 80-ta, kur elektroekonomia e atëhershme, e ngriti një zyre të posaçme që do të merrej me përgatitjen e terrenit për ta ndërtuar një termocentral në Kosovë, fare afër TC Kosova B, me kapacitet 2,100 MW, në të cilin do të investonin disa elektroekonomi Jugosllave të asaj kohe”.
Shllaku shkruante e kundërshtonte në çdo debatë, se ndërtimi eventual i tij, do të ishte shkatërrimtar për Kosovën, sidomos në aspektin mjedisor. Për këtë projekt Banka Botërore, USAID-të dhe BE-së, kishin bërë studime në terren, duke organizuar edhe “kampanja ndërgjegjësuese dhe edukative, me popullatën e Obiliqit”.
I gjithë debati nga viti 2004 deri në vitin 2010, do të merrte karakter polarizues ndërmjet partive në pushtet, atëbotë LDK-AAK, dhe PDK në opozitë. Pushteti LDK-AAK, e synonin ndërtimin e mega-projektit, ndërsa PDK insistonte se Kosovës nuk i duhen një termocentral i tillë. E kur PDK erdhi në pushtet, në vitin 2008, propozoi që fillimisht TC-ja të jetë 1000 MW.
Por, kjo vetëm pasi Banka Botërore dhe BE i kishin ristrukturuar planet për projektin 2100 megavatësh. Të dy faktorët, (BB dhe BE), do t’i sugjeronin Qeverisë në vitin 2009, që të nisin përgatitjet për një TC, tre fish më të vogël – 500 deri 600 MW.
Në vitin 2008, Banka Botërore e kishte miratuar Kornizën Strategjike për Zhvillim dhe ndryshime klimatike (SFDCC). Ky dokument po e përcaktonte politikën e Grupit të Bankës Botërore për çdo pjesëmarrje të ardhshme në projekte të prodhimit të energjisë me bazë thëngjillin. Grupi do ta zgjidhte një Panel prej tre ekspertëve (me autor János M. Beér, Wladyslaw Mielczarski, Derek M. Taylor) për ta vlerësuar përputhshmërinë e projektit të propozuar nga Qeveria e Kosovës. Paneli do ta mbështeste Qeverinë në projektin e termocentralit. Qeveria do ta miratonte Strategjinë për Energjinë 2009-2018, në të cilën thuhej se të gjithë hapat në ndërtimin e termocentralit do të bëheshin në përputhje me Acquis së BE-së (pasi Kosova është pjesë e Traktatit e Komunitetit të Enerergjisë).
Me këtë strategji synohej që TC “Kosova A” do të mirëmbahet më së largu deri në vitin 2017, ndërsa “Kosova B” do të rivitalizohej gjatë periudhës 2016-2017. Deri në këtë kohë mendohej se do të ndërtohej termocentrali i ri, i cili do ta zëvendësonte “Kosovën A”.
Mes viteve 2010-2015, Banka kishte vlerësuar se projekti i TCKR-së është në përputhje me gjashtë (6) kriteret e përcaktuar nga Grupit i Bankës Botërore.
Kriteret e përcaktuara ishin se: projekti ka ndikim zhvillimorë; ndërtohet me karbon të ulët; ruan mundësitë për plotësimin e nevojave të vendit më anë të eficiencës së energjisë; projekti është i domosdoshëm, pasi energjia alternative nuk përbën zgjidhje aktuale; projekti do të përdorë teknologjinë më të lartë në dispozicion.
Plan me kosto të ulët
Pra, përpos përkrahjes Banka po rekomandonte një “plan me kosto të ulët”:
- termocentral të ri me 600 MW që do të ndërtohej deri në vitin 2017
- mbyllje të “Kosova A” 2017;
- rehabilitim të Kosovës B në vitet 2017-2018,
- ndërtim hidrocentralit të Zhuri prej 305 MW në vitin 2017;
- 60 MW hidro të vogla;
- 250 MW nga era të instaluar ndërmjet viti 2016-2021;
- 20 MW nga biomasa dhe 70 MW nga biogazi të instaluara në vitet 2022 -2023.
Përtej këtyre projekteve, fokusi ishte në ndërtimin e termocentralit të ri.
Gjatë analizave, Banka Botërore gjithmon nxirrte termocentralin si më të favorshimin për kushtet e tregut. Madje, energjinë diellore, nuk do ta përfshinte në planin e furnizimit me energji. Kjo për faktin se kostoja e prodhimit të kësaj energjie sillej nga 251 deri në 270 megavat për orë (para vitit 2015).
Një studimin i bërë nga “Mercados Energy Markets Internacional” (2009), të cilit i referohej Banka Botërore, jepte indikacione se rreth dy të tretat e potencialit të energjisë së ripërtritëshme mund të vijnë nga turbinat e erës.
Por, duke ju referuar një tjetër studimi të bërë nga “NEK Technologies”, thuhej se shumë pak vende në Kosovë ka me shpejtësi 6 metër në sekondë, i vlerësohej si “potencial mesatar”.
Gjetjet madje nuk preferonin as energjinë gjeotermale për shkak të temperaturave të ulëta të ujit dhe tokës.
Si mbeti Kosova PATEL(at) e Bankës Botërore?
PATEL, ka qenë emri i një paneli që e ka udhëhequr për disa vite projektin për asistencë teknike për energji nga linjti i Bankës Botërore. PATEL, i ka ndihmuar Qeverisë së Kosovës për forcimin e politikave, kornizën ligjore dhe rregullative për të mundësuar investime të reja në sektorin e energjisë dhe për të ndihmuar Qeverinë për tërheqjen e investitorëve të kualifikuar privat për të zhvilluar minierat e linjitit dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë nga linjiti me standarde të larta të qëndrueshmërisë mjedisore dhe sociale.
Paneli i ekspertëve rekomandonte që, varësisht nga komentet dhe rekomandimet, Qeveria e Kosovës të shkoj përpara me projektin e termocentralit sa më shpejt të jetë e mundur.
Paneli vlerësonte se termocentrali i ri duhet ta zëvendësoj termocentralin e vjetër mbi 60 vjet -“Kosovën A”; të jetë i përballueshëm për prodhim të energjisë, për shkak se reduktimet e emisioneve CO2 do të zvogëlohen në mënyrë proporcionale me rritjen e efikasitetit.
Paneli, gjithashtu, do t’i rekomandonte Qeverisë se ndërtimi i TC prej dy njësive nga 300 MW, të jetë MW e preferuar së vetëm një me 600 megavat. Impianti me shtrat qarkullues të lëngshëm (“Circulating Fluidized Bed”) CFB, i cili do të ishte në përputhje me rregullore e emisioneve për SOx dhe NOx, pa trajtim shtes të gazit.
Ishte interesant fakti se për këtë projekt janë bërë shumë studime dhe secili opsion e ka forizuar ndërtimin e termocentrali.
Kundërshtimet e përhershme të Shoqërisë Civile
Projekti për ndërtimin e termocentralit të ri, pos përkrahësve politikë, gjatë gjithë kohës ka pasur edhe kundërshtar. Përfaqësues të Shoqërisë Civile ka qenë e ndarë në dysh rreth këtij projekti. Në njërën anë ambientalist dhe aktivisti i moçëm i shoqërisë civile, Luan Shllaku, (i cili udhëheq prej vitesh Fonadacionin për Shoqëri të Hapur) nuk e kundërshtonte me çdo kusht një termocentral me kapacitet të vogël, por shfaqej kategorik kundër TC-së prej 2100 megavatësh. Pjesa tjetër e shoqërisë, që përfaqësohej nga Konzorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), i kërkonte Qeverisë që të anulonte kontratën me Contour Global. Reagimi i tyre, erdhi pas deklarimit të Presidentit të Bankës Botërore se nuk do ta mbështesin termocentralin me thëngjillë. Deklarimin e presidentit të BB, KOSID, do ta quante fitore. Por, gjashtë-shtatë vite më herët, Banka, nuk është se i merrte shumë seriozisht ankesat e OJQ-ve. I quante “shqetësime të shoqërisë civile”. Paneli i PATEL-it, inkurajonte hapje dhe transparencë përmes proceseve plotësisht të zhvilluara konsultative dhe përfshirjen e shoqërisë në proceset e ndryshme “sa herë që kjo është e mundur”.
Lobimi i KOSID në të gjitha qendrat e botës, (i mbështetur edhe nga fondacione të fuqishme lobuese), e sidomos në Uashington, pati efektin e saj edhe tek Banka Botërore, presidenti i së cilës i deklaroj koordinatorit të KOSID-it (Visar Azemit në vitin 2018) se nuk do ta përkrahin projketin e projektuar nga vetë ata. “Është moment shumë i veçantë që Banka Botërore publikisht e pranon se zgjidhja për Kosovën nuk është ndërtimi i termocentralit me qymyr, por energjia e ripërtritëshme, e cila tashmë është më e lirë se ajo me qymyr”, ishte shprehur Azemi pak orë pasi kishte përgjigjen nga presiendit i BB, i njohur si Dr.Kim.
Presidenti i Kim arsyetohej se çmimi i energjisë së pastër po bëhet më i ulët se prodhimi me thëngjill. “Na kërkohet me aktet tona nënligjore të ndjekim opcionet me kosto më të ulët – meqë burimet alternative tani janë nën koston e qymyrit, pa dyshim nuk do ta mbështesim një projekt të tillë”.
Ky është momenti kur, projekti për termocentralin merr goditjen e parë, që më vonë do ta qonte drejtë dështimit.
Mirëpo, Qeveria dhe investitori “Contour Global”, mbesin të vendosur ta finalizojnë projektin.
Menaxheri i “Contour Global” Joseph Brandt, do të shprehej se deklarimet e Bankës Botërore janë “pa ndonjë ndikim në përmbylljen financiare të projektit” dhe se sipas planifikimeve të Qeverisë, ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” do të niste ndërtimin në pjesën e parë të vitit 2019, duke u operacionalizuar në vitin 2023.
“Contour Global”, do t’i kërkonte mes tjerash Qeverisë garanci financiare shtetërore për projektin, por një gjë e tillë ishte e pamundur.
Ndryshimet politike, do ta kishin ndikimin e tyre. Në fillim të vitit 2020, do të vinte në Qeverië Vetëvendosje, parti e cila gjithnjë e kishte kundërshtuar ndërtimin e termocentralit me kushtet që ishin pajtuar Qeveria dhe Contour Global. Kjo kompani, do të deklaronte në mars të vitit 2020 se: “Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”.
Së këndejmi, Strategjia e Energjisë 2017-2026, pati përcaktuar pesë objektiva strategjike:
- Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike dhe me kapacitete të
nevojshme për një sistem stabil të energjisë elektrike; - Integrimi në Tregun Rajonal të Energjisë;
- Rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja;
- Zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror;
- Plotësimi i caqeve dhe obligimeve në efiçiencë të energjisë, burime të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtje të mjedisit.
Dy nga synimet e kësaj strategjie, tashmë kanë dështuar: ndërtimi i termocentralit dhe zhvillimi i infrastrukturës e gazit.
Pavarësishtë se strategjia ekziston, Kryeministri Kurti është shprehur se Kosova nuk ka pasur kurrë strategji të mirëfilltë për energjinë. Qeveria ka nisur, në fund të nëntorit, hartimin e një strategjie të re për energjinë, me premtimet se në mars të 2022, do t’i prezantohet Kuvendit.