Ylli i Man Unitedit ia bën me dije klubit se dëshiron të largohet
Sulmuesi francez Anthony Martial ia ka bërë me dije Manchester Unitedit se dëshiron të largohet nga klubi.
Trajneri i përkohshëm i Unitedit, Ralf Rangnick, tregoi se kishte biseduar gjatë me Martialin të mërkurën e kaluar, në një takim në të cilin 26-vjeçari i kishte thënë se tani është koha e duhur për ndryshim.
Martial i zhvilloi vetëm dy ndeshje si titullar për Unitedin këtë sezon në Premierligë, duke e shënuar një gol.
Pavarësisht dëshirës së hapur për t’u larguar, Unitedi ende nuk e ka marrë asnjë ofertë për sulmuesin francez, tregoi Rangnick.
Menaxheri i Martialit, Philippe Lamboley, konfirmoi në fillim të këtij muaji se 26-vjeçari dëshiron të largohet nga klubi në janar.
Ndërkohë, Rangnick ka thënë: “Ai u shpjegua dhe ai ka qenë në Manchester United për shtatë vjet tashmë dhe ndien se tani është koha e duhur për ndryshim, për të shkuar diku tjetër”.
Martial iu bashkua Unitedit në vitin 2015 nga Monaco për rreth 40 milionë euro.
Ai i shënoi 79 gola në 268 paraqitje për djajtë e kuq por që prej ardhjes së Cristiano Ronaldos, Edinson Cavanit dhe Jadon Sanchos në Old Trafford ai është bërë i parëndësishëm. /