E trishtë: Christian Eriksen mbetet pa punë, i ndërpritet kontrata me Interin
Christian Eriksen dhe agjenti i tij do të takohen sot me drejtuesit e Interit për të ndërprerë kontratën e mesfushorit danez me Nerazzurrët.
Eriksen është rikthyer në Milano nga Danimarka, por siç pritej, mjekët nuk i dhanë dritën jeshile për të vazhduar lojën në Serie A.
Danezit nuk i lejohet të stërvitet apo të luajë në Itali me një pajisje të implantuar kardiake pasi çdo kontakt ose goditje mund ta thyejë atë pajisje.
Mesfushori danez ka qenë duke u stërvitur me ish-klubin e tij Odense gjatë javëve të fundit dhe është kthyer në Milano për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, por nuk shpresonte të merrte dritën jeshile nga mjekët.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Eriksen pritet sot të ndërprejë kontratën me Interin dhe të vazhdojë karrierën e tij në vendin e tij të lindjes.
Eriksen kishte tronditur botën e futbollit pas sulmit në zemër që kishte pësuar gjatë ndeshjes së EURO2020 këtë vit mes Danimarkës dhe Finlandës.