Kërcënohet Kupa e Afrikës: Nuk do t’i lëmë lojtarët t’u bashkohen kësaj gare
Sikur të mos mjaftonin thashethemet për një anulim të mundshëm të turneut, një stuhi e re godet Kupën e Kombeve të Afrikës 2021. Shoqata e klubeve evropiane (ECA) në fakt ka kërcënuar Konfederatën Afrikane që të mos i lirojë lojtarët për turneun, për shkak të mungesës së një protokolli adekuat shëndetësor dhe frikës në lidhje me kufizimet e udhëtimit në lidhje me pandeminë Covid-19.
“Në dijeninë tonë, Konfederata Afrikane e Futbollit nuk ka bërë ende publike një protokoll adekuat mjekësor dhe operacional për turneun Can, në mungesë të të cilit klubet nuk do të mund të lirojnë lojtarët e tyre”, thuhet në një email dërguar FIFA-s të premten e kaluar.
Përveç mungesës së një protokolli shëndetësor, ECA nënvizon rrezikun e një mungese më të gjatë se sa pritej të lojtarëve, për shkak të “karantinave dhe kufizimeve të udhëtimit” të lidhura veçanërisht me shfaqjen e variantit Omicron të koronavirusit. Sipas rregullave për lirimin e ekipeve kombëtare, të konfirmuara disa herë nga FIFA që nga gushti 2020, klubet mund të ndalojnë lojtarët e tyre nëse “një karantinë prej të paktën pesë ditësh është e detyrueshme nga mbërritja” në vendin “ku duhet të zhvillohet ndeshja, ose në selinë e klubit pas kthimit të tij”. Bordi i Drejtorëve të ECA-s në fillim të dhjetorit përsëriti se këto parime duhet “të respektohen rreptësisht”.