Njeriu që provoi ta ‘kontrabandonte’ Kurtin si kandidat, favorit për drejtor të Agjencisë kundër Korrupsionit
Më 30 nëntor të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës ka filluar procesi i përzgjedhjes së drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion [AKK]. Periskopi merr vesh nga burimet e sigurta, se favoriti dhe i pari me pikë deri tani është Yll Buleshkaj. Z. Buleshkaj mban pozitën e drejtorit të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve [KQZ] dhe emri i tij u bë i njohur para zgjedhjeve të 14 shkurtit, kur do të vendosej për ‘fatin e Albin Kurtit’ në listën zgjedhore të Vetëvendosjes. Pas më shumë se 8 muajsh kur partia e Kurtit është në pushtet, duket se ‘fati’ takon sërish emrin e z.Buleshkaj, por kësaj radhe si favoriti për të udhëhequr një Agjenci mjaft të rëndësishme – atë Kundër Korrupsion…
Në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, mbledhjet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po mbaheshin me tensione të shumta. Kjo pasi KQZ kishte kërkuar një mendim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, lidhur me kandidatët nëpër lista që ishin shpallur fajtorë për vepra penale.
KGjK i kishte rekomanduar/ përgjigjur KQZ-së, që kandidatët me vepra penale, të mos certifikoheshin, ashtu siç e kërkon edhe ligji. Mes këtyre emrave, ishte edhe numri një në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti (tani kryeministër).
Derisa në Kosovë, po zhvillohej debat i zjarrtë lidhur me këtë çështje, çdo mendim e rekomandim atëkohë dukej se kishte rëndësi të madhe. I tillë ishte edhe rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, që kryesohet nga z.Yll Buleshkaj. Rekomandimi i kësaj zyre, ishte që ‘të certifikoheshin të gjithë kandidatët’.
“Ne i kemi udhëzu ashtu siç mendojmë që është dashtë të veprojnë, pra të certifikohen të gjithë”, pati deklaruar vet z.Buleshkaj në një prej deklaratave në janar 2021.
Duke qenë se rekomandimi i Zyrës që udhëhiqte z.Buleshkaj, ishte në kundërshtim me rekomandimin e KGjK-së, partitë si PDK e LDK, e quanin si ‘shkelje të demokracisë’, rekomandimin e Zyrës së udhëhequr nga Buleshkaj.
Vet Buleshkaj, ishte justifikuar se nuk kishin pasur kohë t’i shqyrtonin të gjitha rastet.
Buleshkaj u bë një prej personave të preferuar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Gati 9 muaj nga kjo ngjarje, kur Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet, emri i Yll Buleshkajt po lakohet si favoriti për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsion.
Në fund të muajit të kaluar, në Kuvendin e Kosovës veç ka filluar intervistimi i kandidatëve për këtë pozitë.
Se po e synon këtë pozitë, z.Buleshkaj ia konfirmoi vet Periskopit.
“Po jam kandidat për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsion. Unë mendoj që jam kanë më i miri dhe për atë kam apliku, por nuk e di saktë. Po besoj që jam kanë të paktën prej ma të mirëve, por s’po di vallahi”, tha z.Buleshkaj për Periskopin.
Përveç konfirimit të z.Buleshkaj se ‘është më i miri’ në këtë pozitë, më shumë se dy burime i thanë Periskopit se ‘Buleshkaj qëndron mirë me pikë’ – duke iu përgjigjur më saktësisht pyetjes tonë se ‘a është ai i pari’.
Anëtarë të komisionit intervistues për përzgjedhje të drejtorit të AKK-së, janë deputetët e Vetëvendosjes: Adnan Rrustemi, Dimal Basha, Hydajet Hyseni dhe Artan Abrashi. Nga opozita, në këtë komision janë Hajdar Beqa i PDK-së dhe Driton Selmanaj i LDK-së./Periskopi/