Sprova nga Allahu
Shkatërrimi i jetës së 46 qenieve njerëzore, nga pronari i kompanisë “Besa Trans”, u cilësua me një fjali të thjeshtë “e shkruar nga Allahu”. Këso arsyetimesh cinike që provojnë të relativizojnë dhjetëra humbje jetësh nga tërpia, pakujdesia e injoranca, do të kemi përderisa të tillët nuk do t’iu përgjigjen ligjeve e dënimeve këtu, në Tokë.
Si të ishte lajmi më i rëndomtë, reagimi më adekuat, apo sikur të ishte arsyetimi më i logjikshëm e përtej çdo dyshimi në vërtetësinë e vet, dje në pothuajse të gjitha portalet e Kosovës e lexova lajmin me titull: “Flet për herë të pare pronari I Besa Trans : Kjo është sprovë nga Allahu, vullneti i tij nuk mund të ndryshohet”!
Se vullneti i Zotit nuk mund të ndryshohet, kjo është shtyllë e secilit besim abrahamik! Në rregull!
Por, kur një pronar linje autobusësh, pa pikë fytyre e ndjeshmërie del e fajin për tragjedinë ia “gjuan” Allahut, kjo e tejkalon edhe cinizmin me pervers!
Autobusi në fjalë ka kaluar plot 113 herë kufirin pa leje për të transportuar udhëtarë! Cila fuqi e mbinatyrshme e ka penguar këtë pronarin të nxjerr leje e të kryej kontrollet teknike apo tërpia e paskajshme për të gllabëruar sa më shumë, për të nxjerre sa me shumë fitim duke kursyer në licenca , kontrolle teknike e reparatura. Çfarë roli luan Allahu këtu, faqezi!
Ende pa u shëruar plagët nga katastrofa me autobus në Kroaci vjen tragjedia tjetër e shkaktuar pikërisht nga tërpia e lufta e eger mes kompanive të autobusëve që transportojnë shqiptarë!
Të panumërta janë aksidentet, incidentet e rrëfimet e tmerrshme udhëtarëve qe përjetojnë ferrin sidomos në linjat ndërkombëtare. Jo rrallë autobusët e shqiptarëve bëhen tema mediatike nëpër Perëndim, duke shokuar publikun atje se në çfarë gjendje teknike i ka hasur policia këta autobusë rrugëve të Evropës. Jo rrallë udhëtarët janë detyruar të zbresin nga këta autobus e të vazhdojnë udhëtimin në forma të tjera, pasi që në perëndim këto rrangalla nuk lejohen të qarkullojnë – sepse përbejnë rrezik për jetën e udhëtarëve.
Pra, pse Allahu!
Ky pronari e kishte bërë edhe një shfajësim tjetër duke përdorur Zotin: “Allahu në Xhenet i shpërbleftë shehedlit, të lënduarve shërim sa më të shpejtë, familjarëve sabër ju dhashtë” .
D.m.th. në rregull jemi, vullneti i Allahut e kalli autobusin e tash Allahu i shpërblen me Xhehnet viktimat, e familjaret me sabër… e pronari i pastër si loti meqë faji është hyjnor!
Jo, zotni! Allahu 113 herë të ka dhënë mundësinë të marrësh licencën, ta kalosh nëpër kontrollime teknike – por, ti ke këqyrë me mashtru Allahun, shtetin udhëtaret e këdo që është dashtë për ta ngopur tërpinë.
Si gjithmonë këta faqezi ortakët i gjejnë nëpër strukturat shtetërorë ne vendet e Ballkanit për t’i futur udhëtarët – kryesisht sosh që nuk kanë mundësi të paguajnë udhëtime me aeroplan – neper makinat e tyre kamikazë jashtë çdo standardi e me shofer që nuk flenë nga 24 orë!
Por, edhe Bashkësia Islame këtu e ne Maqedoni do të duhej që përballë kesaj tragjedie dhe cinizmit të paskajshëm të “pronarit” të reagojë. Nuk guxon të lejohet që matrapazë, hajna e dallaveraxhi të arsyetohen gjithmonë që “kështu o kone e shkrume”! E shkrume është me pas autobusin teknikisht në rregull, të kësh licencë, shoferi mos me vozitë deri t’i mbyllen sytë nga lodhja e të përplaset diku e të marrë dhjetëra jetë.
Nuk guxon një qasje mesjetare e besëtytni të shfrytëzohen nga mashtrues për t’i ikur përgjegjësive të kohërave moderne!
E shkruar është, që këtu ne toke, për autobus e trafik vlejnë ligjet e njeriut – të shtetit.
Pra, për këto humbje jetësh nga tërpia, pakujdesia e injoranca ky “pronari” e shumë pronarë tjerë duhet t’i përgjigjet ligjeve e dënimeve këtu ne Tokë!
E Atje ne Ahret – nëse ka se me siguri nuk e din askush se a ka – ky pronari sigurisht do të përballet edhe më keq, atje mund ta pres një autobus i djegur, flaka e të cilit nuk shuhet kurrë – kështu së paku thonë!