A është delta “super-varianti” i fundit i koronavirusit?
Çdo javë një grup epidemiologësh në verilindje të Shteteve të Bashkuara takohen virtualisht në platformën Zoom për të diskutuar mbi indikacionet e fundit të varianteve të reja COVID-19 në botë.
“Është si parashikimi i motit. Dikur flitej për variantin gama këtu ose për sforcim alfa atje, dhe tani është e gjitha vetëm delta,” tha për Guardian William Hanage, një epidemiolog në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard TH Chan.
Që kur u zbulua për herë të parë në Indi në dhjetor 2020, varianti delta i virusit SARS-CoV-2 është bërë aq i përhapur sa mund të supozohet lehtësisht se evolucioni dikur i shpejtë i virusit është zëvendësuar nga një gjendje përgjumjeje.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 99.5 për qind e të gjitha sekuencave gjenomike të COVID-19 të raportuara në bazat e të dhënave publike tani i referohen llojit delta.
Ndonëse variantet e reja vazhdojnë të shfaqen, siç është AY. 4.2 ose varianti delta plus në Britani të Madhe, të cilin shkencëtarët vlerësojnë se është 10 deri në 15 për qind më ngjitës, megjithëse nuk ka ende të dhëna të sakta, ato janë pothuajse identike me llojin delta, me përjashtim të disa mutacioneve të vogla.
“Ka mjaft delta plus, por nuk është dukshëm më ngjitëse,” thekson Hanage.
Por arsyeja pse Hanage dhe kolegët e tij ende skanojnë bazat e të dhënave siç janë Pangolin dhe Nextstrain çdo javë është të përpiqen të parashikojnë se çfarë mund të vijë më pas. A është me të vërtetë delta fundi i COVID-19 apo diçka edhe më e keqe po afrohet në të ardhmen? Kjo është një pyetje për të cilën askush nuk është plotësisht i sigurt për përgjigjen.
Një mundësi është që pas kërcimeve fillestare dramatike në sekuencën e tij gjenetike, që çuan në alfa dhe më pas në delta, virusi SARS-CoV-2 tani do të ndryshojë më ngadalë dhe përfundimisht do të shkojë përtej mundësive të vaksinave aktuale, por vetëm pas shumë viteve.
Ndërsa shkencëtarët përpiqen të vënë në dukje se parashikimet e tyre bazohen kryesisht në spekulime, disa e konsiderojnë këtë si rezultatin më të mundshëm.
“Parashikoj se evolucioni që do të shohim më shumë është ai që ne e quajmë zhvendosje antigjenike, ku virusi evoluon gradualisht për t’i shpëtuar sistemit imunitar. Për gripin dhe koronaviruset e tjera që ne i njohim mirë, nevojiten rreth 10 vjet që virusi të ketë ndryshime të mjaftueshme, ashtu që antitrupat që ndodhen në gjak të mos e njohin më atë”, tha Francois Balloux, drejtor i Institutit të Gjenetikës UCL.
Por alternativa është shfaqja e papritur e një lloji krejtësisht të ri, me mundësi transmetimi të reja dhe të ndryshme, virulencë ose imunoevazivitet. Ravi Gupta, një profesor i mikrobiologjisë klinike në Universitetin e Cambridge, i quan këto variante “super-variante” dhe thotë se është 80 për qind i sigurt që do të shfaqet një tjetër, por pyetja është se kur.