Shqipëria e dobët nuk po e ndihmon dot Kosovën

Shqipëria e dobët nuk po e ndihmon dot Kosovën

Unë mendoj se Parlamenti i Shqipërisë do duhej të kishte mbajtur një qëndrim për atë që po ndodh dhe Qeveria e Republikës sonë po ashtu do duhej të ishte më aktive, me kurajoze dhe shumë më e vëmendshme.

Çfarë po ndodh në Kosovë?

Serbët duan ta kantonizojnë veriun e Kosovës, në Mitrovicë duke e aneksuar atë apo duke e nxjerrë nga administrimi i Republikës së Kosovës. Më pak fjalë nëse kjo që ka nisur me trenin vazhdon, Serbia do të ndërtojë një stacion të përhershëm në Kosovë të cilin e humbi me luftë dhe më pas edhe me diplomaci dhe drejtësi ndërkombëtare.

Janë pra disa ngjarje të cilat na detyrojnë ta marrim seriozisht atë që po ndodh dhe mund të ndodhë në Kosovë.

Ndërtimi i murit që ndan pjesën serbe nga ajo shqiptare, arrestimi i Ramush Haradinajt, armatosja e civilëve serbë dhe futja e trenit të marrë në territorin e një shteti të pavarur nga një shtet tjetër.

Kam përshtypjen që të tria ngjarjet kanë një qëllim: t’i dëshmojnë botës se Kosova është një territor i pastabilizuar ku etnitë nuk jetojnë dot në paqe, se shteti i Kosovës është shumë i dobët për të mbijetuar dhe se rendi i ri botëror që nisi në Ballkan para 25 vitesh duhet të ndryshojë sërish në Ballkan.

Besoj se jemi të gjithë të qartë se ka përpjekje për të ndryshuar rendin e gjërave dhe bashkë me të edhe kufijtë dhe se Serbia është e para ndër shtetet e Evropës që mendon se duhen ndryshuar kufijtë e humbur duke u kompensuar fillimisht, pikërisht në Kosovë.

Kosova që u krijua në vitet 2000 ishte produkt i një bote të lodhur nga konfliktet.

Sot Kosova është diçka tjetër.

Është viktimë e një bote të lodhur nga mungesa e konflikteve.

Një pjesë e botës sot mendon se kriza e gjatë e dhjetë viteve të fundit mund të zgjidhet duke hapur konflikte të reja të cilat hapin tregje lufte dhe ekonomie siç edhe ka ndodhur në të shkuarën.

Për fat të keq Bashkimi Evropian, produkt i diplomacisë dhe forcës së të cilit, është Kosova nuk ka një qëndrim. Në fakt prej kohësh Bashkimi Europian nuk ka qëndrim për shumë çështje. Dalja e Anglisë e ka trembur. Kriza e refugjatëve e ka dobësuar. Rritja e terrorizmit e ka heshtur. Zgjedhjet në Amerikë e kanë hutuar. Forcimi i Rusisë e ka ndikuar.

Për më tepër ky është një vit elektoral ne BE dhe Gjermania si dhe Franca shkojnë në zgjedhje.

Politika e jashtme e këtyre vendeve nuk është në rendin e politikës së brendshme. Ndryshe nga njëzet vjet më parë, në Evropë nuk fitojnë ata që çlirojnë popujt e tjerë nga tiranitë dhe hapin kufijtë për të huajt, por ata që mbrojnë popujt e tyre nga popujt e tjerë. Nga globalizmi optimist po kalojmë në izolacionizmin tregtar. Siç thoshte Cvajgu, bota e djeshme  rritej duke u hapur, bota e sotme rritet duke u mbyllur.

Natyrisht që ky është një cikël historik që nuk dihet sa do zgjasë. Gjatë ciklit të hapjes ne shqiptarët fituam ndoshta më shume se kushdo.

Në këtë kontekst Kosova është pothuajse jetime. Bashkimi Europian nuk ka asnjë qëndrim për arrestimin e Ramush Haradinaj, asnjë qëndrim për murin dhe një qëndrim shumë të zbehtë për çështjen e trenit.

Natyrisht qe nuk po flas sot për ta kritikuar Bashkimin Europian, pasi atij i mjaftojnë kritikët e vet, por kjo që po ndodh është realitet nga i cili s’mund të shmangemi.

Kosova sot është më dobët dhe me pak e mbështetur.

Në dhjetë vjet nuk arriti dot të këtë kohezion dhe të ndërtojë një shtet funksional çka renditet si dobësia e saj e më e madhe. Institucionet e Kosovës janë të brishta. Parlamenti i saj është pothuajse i bllokuar, klasa politike është vazhdimisht nën kërcënimin e historive të luftës siç ndodhi edhe me Ramush Haradinaj dhe përpjekja për ta vizatuar Kosovën si një projekt të dështuar dhe jo rentabël për gjitha këto arsye ka patur jo pak sukses.

Aleati më i madh i Kosovës, Shtetet e Bashkuara janë në tranzicion, çka ka shkaktuar dhe gjithë këtë hutim në Evropë, në Prishtinë dhe pa dyshim edhe në Tiranë.

Eshtë e qartë se serbët duan ta ndajnë Kosovën. Unë nuk besoj se sot ky është një projekt ndërkombetar, por e sigurt është që në të ardhmen mund të rikthehet si i tillë. Paqëndrueshmëria e brendshme në Kosovë, rikthimi i Rusisë në Ballkan, aktivizimi i terrorizmit islamik janë të gjithë faktorë që dobesojnë vetëm një faktor: faktorin shqiptar.

Çështja është se sot përveç Kosovës edhe Shqiperia ka humbur peshën e saj në rajon dhe më gjerë. Shqipëria nuk e mori dot statusin e vendit kandidat çka e ka dobësuar imazhin e saj. Anëtarësimi ynë në NATO është kthyer më shumë në një simbolikë tavolinash sesa në një zë që dëgjohet dhe mund të diktojë. Ne jemi në tavolinë, por nuk jemi as në bisedë as në vendim. Diplomacia jonë është pa plan, pa koherencë, pa ide dhe totalisht e personalizuar. Diplomacia nuk është më qellim i shtetit por vetëm dekor i kryeministrit. Në dy-tre vjet kemi arritur vetëm diçka që sot s’po na vlen aspak: kemi përmirësuar pa shkak marrëdhëniet me Serbinë. Ndërkohë kemi përkeqësuar pa shkak marrëdhëniet me Greqinë, jemi kaotikë në marrëdhëniet me Maqedoninë, nuk kemi avancuar aspak në marrëdheniet me Bashkimin Europian dhe kemi lujtuar ruletën ruse në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të gjitha këto kanë qenë lëvizje tekanjoze dhe aspak në dobi të interesit tonë strategjik. Thënë me pak fjalë, politikës sonë të jashtme i ka munguar parashikimi çka është njëlloj sikur në basketboll të të mungojë dora, ose në shah të të mungojë kali.

Duke qenë më e dobët, Shqipëria nuk po e ndihmon dot Kosovën.

Investimi personal i Kryeministrit Rama në Beograd sot nuk vlen asgjë. Serbët nuk ia kanë blerë miqësinë e çmuar që u afroi. Përkundrazi, mendojnë se e kanë zbutur Shqipërinë e cila nuk është dhe nuk do jetë një aktor në krizën e Kosovës. Çka në fakt po ndodh. Shqipëria është aktori më i dobët dhe më i heshtur në sa po ndodh sot çka i ka ndihmuar serbët për hir të së vërtetës.

Në këto kushte mendoj se është e domosdoshme që Parlamenti i Shqipërisë të mbajë një qëndrim sa më shpejt.

Mendoj se diplomacia e vendit duhet të jetë më aktive, më e guximshme sidomos duke sensibilizuar Bashkimin Evropian që Shqipëria është kundër ndarjes së Kosovës. Shqipëria duhet ta bëjë të qartë se ndarja e Kosovës nëse ndodh do të kishte si pasojë vetëm një gjë: bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Nëse Kosova ndahet sigurisht ky do te ishte dhe duhej të ishte një rrjedhim llogjik.

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.

Një Ballkan i Ri duhet të ketë një Shqipëri të Re

Besoj realisht se ka ardhur koha për ta thënë. Nëse dikush do ta quajë Shqipëria e Madhe le ta quajë. Shqiperia nuk po kërkon ndryshim kufijsh në Ballkan, por nëse ato ndryshojnë ajo nuk mund të mos pranojë të ndryshojnë edhe kufijtë e saj. Ky do të ishte një favor i pakërkuar, por i merituar nëse mund të përdorja një fjalor diplomatik.

Në këto kushte i kërkoj këtij Parlamenti të jetë më aktiv dhe shumë më i vëmendshëm në raport me zhvillimet në rajon dhe sidomos në Kosovë pasi presioni i kësaj trupe do ndihmonte shqiptarët kudo ku jetojnë që të binden se ashtu si serbët e Kosovës kanë mbështetjen e një shteti edhe shqiptarët e Kosovës kanë mbështetjen e një shteti që është i gjithi në një mendje kur vjen puna tek interesi kombëtar.

Dhe çështja e Kosovës është interes kombëtar dhe i pandryshueshëm i Shqipërisë së djeshme, të sotme dhe të nesërme.

Fjalim i mbajtur sot në Parlamentin e Shqipërisë.

Shpërndaje në: