Profesori Enver Hasani: Kuku për fatin e Kosovës, refuzimi i gazit amerikan nga Kurti është shumë serioz

Profesori Enver Hasani: Kuku për fatin e Kosovës, refuzimi i gazit amerikan nga Kurti është shumë serioz

Në një shkrim të gjatë të botuar në Koha Ditore, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese me emrin Enver Hasani, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës që të ndërrojë qasjen e tij karshi aleatit qendror të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Hasani është marrë veçanërisht me talljen që z. Kurti e ka bërë në drejtim të aleatit tonë më të madh në disa raste.

Ai përmend “Amelika, Amelika”, e thënë nga Kurti në mënyrë përqeshëse derisa po përballej me akuzën se ishte anti-amerikan. E po ashtu edhe “Shtëpia e Bardhë, Shtëpia e Verdhë, Shtëpia e Kuqe” e thënë në Kuvendin e Kosovës.

“Një lloj frustrimi i papërfillshëm që më kapi në dy rastet në fjalë, më shumë kishte të bënte me një keqardhje të brendshme që ndieva për gjendjen dhe nivelin shpirtëror të autorit të talljeve, jo për ndonjë implikime që mund pasojë lidhur me pozitën e Kosovës në rajon dhe përtej.” – thotë z. Hasani për këto raste, përcjell Periskopi.

Tallja më serioze atij i është dukur me çështjen e projektit amerikan të gazit për energji të pastër.

“Nuk prishet aleanca me Amerikën për do gypa,” – kishte thonë në mënyrë cinike kryeministri Kurti.

Por, në shkrimin e titulluar “Gypat”, Enver Hasani shpreh shqetësimin e tij të thellë për fatin e Kosovës pas vendimit të Qeverisë që të mbetet vendi ivetëm në Ballkan që nuk ka qasje në projektin amerikan të gazit.

Më poshtë e keni shkrimin e plotë të z. Enver Hasani të titulluar “Gypat”.

Gypat!

Kjo është kështu sepse çdo dështim amerikan dhe perëndimor për të bartur burime strategjike të energjisë në hapsirën e dizajnuar si strategjike nga rusët, nuk përbën pos një dështim kardinal në politikën e jashtme amerikane, devijim nga plani strategjik për sigurinë energjetike të aleatëve, rrezikim të sigurisë së Izraelit dhe të tjerëve në Lindje të Mesme dhe, në fund, ngecje serioze në politikat e balansimit të projektit imperial kinez. Kjo është arsye pse Albini duhet të ndaloj gropimin në zorrët e amerikanëve dhe aleatëve të tyre!

Dy talljet e para: “Amelika – Amelika” dhe “Shtëpia e Bardhë e Shtëpia e Kuqe”!

Tallja me fuqitë e mëdha ka ndodhur përgjatë historisë. Ajo është bërë nga vetë fuqitë e mëdha, që ndërmjet veti kanë këmbyer e përqeshur vetitë dhe politikat respektive në mënyrë reciproke. Lufta e Ftohtë mbahet mend për një gjë të tillë, kur rusët përmes gojës së përfaqëuesit të tyre të parë në OKB, Andrei A. Gromiko, kishin vënë rekordin me njëzetë e gjashtë vënie të vetos në rezolutat dhe vendimet e Këshillit të Sigurimit, aq sa mbahet mend si “Nyet Man” (“njeriu i jo-së”). Këto “jo” shprehnin refuzimin e çdo gjejë që vinte nga Amerika.

Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare në antikitet është përplot me kësi tallje reciproke në mes të shteteve dhe oborreve mbretërore, por edhe brenda vetë shtetit. Perandori Kaligula kishte hyrë në Senat me kalin e tij, një tallje kjo me nivelin mizerje të përfaqesuesve të popullit romak. Ne që kemi jetuar komunizimin, mbajmë mend një përpjekje të tillë të Enver Hoxhës, që ne na mbushte plot me energji dhe shpresë mjerane, kur e pat quajtur Sinan Hasanin “si qen që lehë, se për atë paguhet nga jugosllavet”, kurse ky i dyti menjëherë të nesërmen ia kishte kthyer xhevapin duke thene se “Enveri ishte bë si cjapi me zhugë”. Apo kështu diçka! Nuk ka fort rëndësi nëse kam mbajtur mend saktësisht se me çfarë është tallur diktatori shqiptar në drejtim të  mini-servilit kosovar të komunizmit jugosllav, Sinan Hasani. Ajo që ka rëndësi është modeli metaforik i fjalive dhe diskursi i zyrtarëve të lartë shtetëror përgjatë historisë, në përpjekjet e tyre për të përçuar mesazhe të vendosmërisë dhe vizionit, trimërisë dhe mençurisë së pashoq kundër palës pranuese të mesazhit tallës, përbuzës e përçmues.

Kosova nuk ngeli vetëm pranues i talljes, por u bë edhe prodhues i saj. Na kujtohen mirë talljet si:  “Amelika-Amelika” dhe “Shtëpia e Bardhë e Shtëpia e Kuqe”, me të cilat synohej neutralizimi i kundërshtarit të brendshëm politik, pa vrarë mendjen as edhe një sekondë mbi efektin e dëmshëm që mund të ketë për Kosovën dhe imazhin e saj në botë. Këtyre dy talljeve ua zuri vendin tallja më e re me gypat e gazit, të cilat u bënë metaforë e një përqeshjeje të amerikanëve dhe politikës së tyre të jashtme, në fakt përqeshjeje të gjeostrategjisë globale të Shtetit amerikan, strategjisë së tyre të madhe aktualisht në fuqi. Krejt irrelevante është nëse kryeministri Kurti ka qenë koshient se me këtë po ofendon dinjitetin e shtetit amerikan. Ne që ua mësojmë studentëve tanë të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, në javën e dhjetë prezantojmë leksionin mbi dinjitetin shtetëror dhe tregojmë se dinjiteti i shtetit futet në menynë e lirive dhe të drejtave të shteteve sovrane dhe të pavarura, që i gëzon secili shtet anëtar i bashkësisë ndërkombëtare, jo vetëm superfuqitë çfarë është aleati ynë i pashoq – ShBA. U muar vesh, edhe Kosova e vogël, e pa fuqi në këtë botë, gëzon të drejtën për dinjitet shtetëror me kuptim kërkesën ndaj shteti e individi për të respektuar ashtu siç përcaktohet sipas të drejtës ndërkombëtare.

Tallja me gypat e gazit dhe shkrimtari kroat Miroslav Kërlezha

Nuk di as vet pse, por dy talljet e para, që u mbuluan nga tallja me gypat e gazit, më ikën disi pa vërejtur dhe fort nuk më shqetësuan. Një lloj frustrimi i papërfillshëm që më kapi në dy rastet në fjalë, më shumë kishte të bënte me një keqardhje të brendshme që ndieva për gjendjen dhe nivelin shpirtëror të autorit të talljeve, jo për ndonjë implikime që mund pasojë lidhur me pozitën e Kosovës në rajon dhe përtej. Kjo puna me gypat, ndërkaq, në tërë dimensionin e vet, kapi mendjen dhe koncentrimin tim intelektual, duke u kthyer në shqetësim për fatin e vendit dhe ata që vijnë më pas. Kjo, sepse tani po bëhej fjalë për një tallje që shkon përtej naivitetit të autorit të saj: me te po shpërfaqej pikëpamja zyrtare e vendit tim mbi orientimin e politikës së jashtme dhe raportit tonë me aleatët. Këta të fundit përfaqësojnë bashkëudhëtarët e çdo ekuacioni gjeostrategjik mbi pozitën e Kosovës në botë.

Kur e dëgjova talljen me gasin, mu kujtua shkrimtari i mirënjohur kroat, Miroslav Kërlezha, i cili dikur u pat thënë serbëve, më duket nga një takim në Sarajevë, se ata, pra serbët, nuk duhej të groponin shumë në zorrët e shqiptarëve. Kjo sepse, siç e pati thënë, “dihet se çfarë mund të gjejnë serbët aty”. Zorrët, nuk besoj se duhet filozofi e madhe për të kuptuar, kanë formën e gypave dhe, në fakt, janë një lloj gypi në trupin e njeriut.

Rrugët dhe gypat si indikatorë të matshëm të politikës së jashtme

Rrugët që kanë lidhur shtetet, arterjet rrugore në tokë e ujë, janë gjurmët dhe shenjat e  politikës së jashtme të një kohe. Kjo, sepse ato flasin për marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës, natyrën dhe kahet e tyre. Ato tregojnë për lëvizjet ideologjike e fetare, ndikimet kulturore e politike, mbi të gjitha tregojnë, pa asnjë ekuivoke, orientimin gjeostrategjik të atyre fuqive që kanë diktuar ndërtimin dhe drejtimin e tyre. Mjafton të kujtojmë këtu rrugët si Via Egnatia dhe Rruga e Mëndafshit. Kjo fundit lidhte Mesdheun me Azinë Lindore.

E para, Via Egnatia, në shekullin e dytë ishte ndërtuar për të lidhur Ballkanin romak me Bizantin që do të lind më vonë, përkatësisht Lindjen me Perëndimin.

Nga një lexim i shpejtë i Biblës do të shihet se gjeografia biblike që përshkruhet te “Letrat Efesianëve” nuk ka të bëj me asgjë tjetër pos me një përshkrim të fazës së hershme të përhapjes së krishterimit në drejtim të Romës. Kjo e fundit u bë më vonë qendër e krishterimit dhe fe e saj zyrtare, e mori në mbrojtje me tërë fuqinë shtetërore, por pas tre shekujsh persekutimi të të krishterëve.

Shënimet e Marko Polos, në mënyrë të njëjët, nuk flasin për biznes dhe ndikim kulturor, siç mund të fitohet përshtypja nga leximi i tyre i parë, por për konjukturat gjeopolitike të kohës kur ai ka jetuar. Ato konjuktura, të njohura më pas si “Rruga Mëndafshit”, për naivët mund të duken si rrugë tregtare. Për ata që shohin e kuptojnë si duhet, megjithatë, ato janë tregues thellësisht gjeopolitik.

Kjo është kështu sot e kësaj dite dhe dëshmohet nga politika aktuale imperiale kineze, e njohur si “rripi dhe toka”, që përshkon në tokë atë që dikur është quajtur “Rrugë e Mëndafshit”, por tani me kahe të kundërt ndikimi – nga Lindja kineze në drejtim të Perëndimt euroaziatik.  Përveç rastit kinez, në kontesktin ballkanik me Kosovën si pikë referimi, një gjurmë e njëjtë mund të vërehet edhe te “Rruga e Kombit”, e cila, kur del në Serbi, fiton një epitet tjetër. Sikur çdo projekt politik, kjo rrugë shfrytëzohet nga civilët dhe bizneset për përfitimet e tyre kryesisht komerciale. Gjeneza e saj, megjithatë, ka rrënjë gjeostrategjike dhe determinohet nga gjeopolitika e rajonit që u formësua pas Lufëts së Kosovës (1998-1999). A nuk tha Faik Konica, në një intervistë në SHBA pas okupimit fashist të Shqipërisë, se “rrugët që ndërtoi Italia, tani po kuptohet se nuk ishin bërë për të lehtësuar ikjen e mbretit tim, por për të sulmuar fqinjët e Shqipërisë” (sic!).

Simotrat e rrugëve, trajektoret e gasit, që sot penetrojnë truallin evropian, kanë origjinë kryesisht ruse, për t’u rivalizuar mëpastaj nga rrugët e gasit me origjinë nga vendet dhe konzorciumet perëndimore. Këto të dytat kanë qenë reagim ndaj gasit rus dhe projeksioneve politike që qëndrojnë në mbështetje të tij. Deri më sot nuk ka pasur pika ndeshjeje në mes të rrugëve ruse dhe rrugëve perëndimore të gasit, përveç në rajonin Nagorno Karabah, i pushtuar nga armenët në fillim të procesve demokratike pas shpërbërjes së ish-BRSS. Fitorja e shpejtë e Azerbejxhanit ka lënë gojëhapur shumëkend. Habia më e madhe, megjithatë, ka qenë me mosreagimin rus e amerikan rreth konfliktit, siç ndodh zakonisht kur ka fërkime në mes të fuqive të mëdha. Arsyeja!? Asgjë tjetër pos faktit të interesave amerikane në atë pjesë që kufizohet me Iranin, armikun e tyre politik numër një në atë pjesë të botës (edhe për shkak se Kina, në mes tjerash, në Iran ka pikën më të fortë të mbështetjes për politikën e saj imperiale që rivalizon Perëndimin). Interesat amerikane nuk ndalojnë në Iran, por vazhdojnë tutje në Ballkan, për t’u lidhur me gasin që në Kosovë u quajt gasi rus, në mënyrë krejt naive dhe të gabuar: këtu bëhet fjalë për një fragment të “strategjisë së madhe” amerikane në këtë pjesë të botës, fragment që lidhet me projektin global që nis në Baku të Azerbejxhanit.

Pika nisëse e kësaj strategjie të madhe ka qenë rimarrja e Nagorno Karabah. Kjo ka bërë që gasi i detit Kaspik të jetë më i sigurtë, duke hapur mundësinë edhe për një rrugë tejtër më të shkurtër për bartje të tij në Mesdhe, pa llogaritur këtu rivalizimin që u bëhet ambicieve eventuale të Iranit  për të depërtuar në të ardhmën në të njëjtin treg të gasit (përmes mbështetjes dhe partneritetit konstant me Kinën). Kushdo që e kupton se çfarë nënkuptohet me “strategji të madhe”, të cilën amerikanët janë duke e ndjekur dhe diversifikuar, në veçanti pas mbarimit të angazhimit të tyre ushtarak në Siri, atëherë e ka të qartë se përpjekjet amerikane janë fokusuar për të bërë politikë të jashtme të racionalizuar me resurse të kufizuara me qëllim të plotësimit të interesave nacionale në një mënyrë optimale si dhe gjetja e rrugëve sa më të shkurtëra e më pak të kushtueshme, që sjellin profit, por, mbi të gjitha, siguri permanente energjetike për vendet në sferën e interesit nacional amerikan. Kjo përbën prioritetin amerikan në pellgun e Mesdheut dhe parpashpinës së tij në veriperëndim të tij. Nuk ka rrugë tjetër për të neutralizuar varsinë e Evropës nga gasi rus dhe bulizmi energjetik që rusët po e aplikojnë kohë pas kohe dhe që, në rrthana të krizës, mund ta bëjnë standard të politikës së tyre të jashtme.

Albin Kurti, mos gropo në zorrë!

Kompanitë dhe aksionarët që qëndrojnë prapa gasit Kaspik janë me origjinë nga SHBA dhe aleatët e saj strategjik. Nuk kemi ndërmend të theksojmë sa kanë kushtuar gypat që përçojnë atë gas në Mesdhe dhe sa zgjati puna në këta gypa. Ajo që duam të theksojmë është se tallja me këtë gas vet për veti nuk përbën një mëkat! Mirëpo, kjo nuk përfundon këtu, sepse kur ai burim energjie nis rrugëtimin e vet për trojet shqiptare, duke futur hundët nga Greqia veriore në drejtim të Kosovës,  intensifikohet identifikimi i tij me “strategjinë e madhe” të aleatit tonë kryesor dhe formëson shtyllën e dinjitetit të tij shtetëror në këtë pjesë të Evropës. Kjo është kështu, sepse çdo dështim amerikan dhe perëndimor për të bartur burime strategjike të energjisë në hapsirën e dizajnuar si strategjike nga rusët, nuk përbën pos një dështim kardinal në politikën e jashtme amerikane, devijim nga plani strategjik për sigurinë energjetike të aleatëve, rrezikim të sigurisë të Izraelit dhe të tjerëve në Lindje të Mesme dhe, në fund, ngecje serioze në politikat e balansimit të projektit imperial kinez. Kjo është arsye pse Albin Kurti duhet të ndaloj gropimin në zorrët e amerikanëve dhe aleatëve të tyre!

Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Shpërndaje në: