Akuzoi zv/kryeministrin kinez për përdhunim, zhduket tenistja
Një javë pasi tenistja kineze Shuai Peng, 35 vjeç e vlerësuar me shumë çmime, denoncoi se ishte përdhunuar tre vite më parë nga ish zv/kryeministri kinez Zhang Gaoli, 75 vjeç, askush nuk ka më lajme prej saj.
Sipas mediave, heshtja totale e saj është arsye për t’u shqetësuar duke pasur parasysh mjetet e forta të censurës në duart e qeverisë kineze. Shuai Peng publikoi rrëfimin e saj të detajuar në Ueibo – i barazvlefshëm me Twitter në Kinë. Postimi i saj qëndroi online për 20 minuta. Mjaftueshëm për të lejuar mijëra përdorues që ta kopjojnë dhe shpërndajnë.
Që nga ai moment ish lojtarja profesioniste nuk ka publikuar më asgjë tjetër. Komentet janë fshirë dhe teksti i postimit është i mbuluar nga censura në rrjetet sociale kineze. Ditën e postimit dhe fjala “tenis”, u ndalua në Ueibo.
Peng akuzoi Zhang duke treguar se ishin takuar për herë të parë, para shtatë vjetësh kur ai ende nuk ishte zv/kryeministër. Ai e takoi sërish para tre vitesh për një lojë tenisi, dhe aty e përdhunoi. Peng shprehej se ishte e terrorizuar, pasi bashkëshortja e tij sigurohej që askush mos të shihte dhe të mos dëgjonte gjë.
Që nga ai moment nisi një lloj marrëdhënie ku ai ishte gjithnjë jo korrekt, i dhunshëm, gënjeshtar dhe ziheshin shpesh. Historia zgjati deri një javë para denoncimit të saj në rrjetet sociale.
Shqetësimet në mesin e komunitetit global të tenisit janë rritur gjatë dy javëve të fundit. WTA(shoqata e të drejtave të grave) tha në një deklaratë të dielën se do të kërkojë një “hetim të plotë, të drejtë dhe transparent mbi akuzat për sulm seksual kundër ish-udhëheqësit kinez”. /abcnews.al/