Formacioni i mundshëm i Shqipërisë, për ndeshjen ndaj Andorrës
Kombëtarja shqiptare do të luajë sot sfidën e fundit ndaj Andorrës për eliminatoret. Pas humbjes së thellë me Anglinë, në këtë moment morali nuk është pika më e fortë e skuadrës se Edi Rejës.
Andorra është një ekip që të krijon probleme, luan një futboll shumë të ashpër, kjo vërehet edhe nga numri i lartë i kartonëve dhe faulleve që ata kanë marrë.
Shqipërisë i duhet ky trepikësh për të arritur një rekord pikësh, plot 18. Përveç moralit që nuk e ka në anën e tij, Reja duhet të mendojë edhe për mungesat e shumta që do të ketë në këtë ndeshje.
Është konfirmuar që për shkak kartonësh, pezullohen për ndeshjen ndaj Andorrës, lojtarët Ardian Ismajli, Klaus Gjasula dhe Sokol Cikalleshi.
Ndërsa, për shkak dëmtimesh, mbrojtësi Marash Kumbulla dhe mesfushori Keidi Bare, të dy të dëmtuar ndaj Anglisë, kanë lënë grumbullimin dhe janë kthyer për në klubet e tyre respektive për të vijuar rikuperimin.
Gjithashtu, edhe mbrojtësi tjetër, Frederik Veseli ka pasur probleme fizike pas ndeshjes me Anglinë dhe me konsultimet që ka bërë me stafin mjekësor, e ka të pamundur për të qenë i gatshëm në ndeshjen e sotme.
Listës së mungesave u shtohet edhe emri i Armando Brojës, i cili nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen ndaj Andorrës.
Broja u bashkua me skuadrën në stërvitje një ditë para ndeshjes me Anglinë, ku iu nënshtrua testeve mjekësore dhe zhvilloi një seancë të veçuar stërvitore për të parë gjendjen e kaviljes.
Lojtari ka ndjerë përsëri dhimbje dhe pas përfundimit të ndeshjes me Anglinë në “Uembli” ka kërkuar të rikthehet pranë klubit të tij për të vazhduar terapinë.
PËRFORCIMET
Lista e Kombëtares ka pësuar sërish ndryshime. Për shkak të mungesave të shumta, trajneri italian, Edi Reja, ka thirrur në skuadër 3 përforcime.
Mund të duket pak si qesharake dhe jo serioze, por Ernest Muçi rikthehet sërish në Kombëtaren A. Në fillim të grumbullimeve, ai ishte me skuadrën U-21, por ditën e dytë u thirr nga Reja në Kombëtaren A, ndërsa pas dy ditësh stërvitje, shkoi sërish tek U-21 për të luajtur edhe në Slloveni.
Ndërsa tani ai lëviz sërish dhe bashkohet me ekipin A. Përforcim tjetër është ai i Enis Çokaj, i cili ishte futur në listën e pritjes, ndërsa në repartin e sulmit u thirr Taulant Seferi i Tiranës.
FORMACIONI
I dyzuar sa u përket zgjedhjeve, Edi Reja do të hedhë në fushë një formacion me 9 ndryshime nga sfida me Anglinë. Vetëm Uzuni me Hysajn pritet që të jenë në fushë nga ndeshja e fundit.
Duke iu referuar stërvitjes së djeshme, “Panorama Sport” mëson së janë provuar këta lojtarë. Në portë rikthehet titullar Etrit Berisha.
Në mbrojtje mungojnë të tre lojtarët që e nisën nga fillimi ndaj Anglisë dhe sot pritet që në prapavijë të rreshtohen Mihaj, Dermaku dhe Hoxhallari, ndërsa në mesfushë nga e djathta Odise Roshi dhe e majta Elseid Hysaj.
Në qendër të mesfushës përgjegjësia do të bjerë mbi Ramadanin dhe Laçin, ndërsa nga minuta e parë Reja pritet t’i besojë Endri Çekiçit.
Në repartin e sulmit, Uzuni mendohet ta nisë nga fillimi, i shoqëruar me Taulant Seferin.