Rrahmani kërkon ndryshime: S’ka arsyetime, po luajmë keq
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, e ka pranuar se ekipi kombëtar ka nevojë për ndryshime, pasi e mbylli një fushatë kualifikuese tejet dëshpëruese për Kupën e Botës 2022 pas barazimit 1:1 me Greqinë të dielën.
Rrahmani e shpëtoi Kombëtaren e Kosovës nga humbja në Athinë, e cila do të ishte e pesta radhazi në të gjitha garat, me një gol në pjesën e dytë, pasi Georgios Masouras e kishte kaluar Greqinë në pjesën e parë, raporton Gazeta Express.
Kosova e përfundon fushatën e dytë kualifikuese në vendin e fundit në grup.
Dardanët mblodhën vetëm pesë pikë nga tetë ndeshje, pas një fitoreje, dy barazimeve dhe pesë humbjeve.
“Ishte një ndeshje që mund ta fitonim dhe ta humbasim. Kishim të dyja ekipet raste dhe nuk ishim të koncentruar maksimalisht të dyja skuadrat, pasi dëshira ishte të fitonim ndeshjen dhe kjo ka bërë që të lejojmë shumë hapësira. Besoj se barazimi ishte rezultat real pas asaj që treguam në këtë ndeshje”, ka thënë Rrahmani.
Ai shtoi: “Nuk jemi të kënaqur me paraqitjet të cilat jemi duke i bërë, jemi të gjithë nervoz. Ky është karakteri im, mendoj se jemi një skuadër që mund të luftojmë për më lartë. Nuk ka më justifikime, duhet të ketë ndryshim pasi mund të janë kualifikimet e fundit apo të parafundit që jemi në këtë moshë kështu që duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht”.
Spanja e fitoi Grupin A duke mbledhur 19 pikë dhe u kualifikuar direkt, pasi e mundi Suedinë 1:0, e cila do të luajë në play-off si e dyta në grup me 15 pikë.