Çelhaka & Pëllumbi: Fokus maksimal te ndeshja me Slloveninë
Shqipëria U-21 do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshjen e parë ndaj Sllovenisë në transfertë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023. Skuadra është grumbulluar që prej ditës së diel në qytetin e Durrësit, ku po stërvitet intensivisht, teksa pritet që ditën e sotme të niset drejt Sllovenisë. Në prag të kësaj sfide, në një konferencë për mediat kanë dalë diten e sotme dy futbollistët, Jurgen Çelhaka dhe Jorgo Pëllumbi, të cilët kanë folur në lidhje me ndeshjet që Shpresat do të zhvillojnë këto ditë.
Jurgen Çelhaka shprehet se grupi gëzon harmoni të plotë, teksa shprehet se drejt Sllovenisë kuqezinjtë do të nisen me qëllimin për të marrë tre pikët dhe se fokusi për momentin është vetëm te ndeshja e parë. Ai flet edhe për synimet e skuadrës për të arritur vendin e dytë si dhe objektivat për të ardhmen e tij në aspektin personal, përcjell FrontOnline.
Fitorja me Slloveninë dhe objektivat për ndeshjen – Është e vërtetë që kemi marrë një tre pikësh me shumë vlerë me Slloveninë, kur kemi luajtur në shtëpinë tonë. Por të gjithë ata që e kanë parë ndeshjen, e kanë parë që kemi vuajtur shumë për ta marrë atë tre pikësh. Është një ekip shumë i fortë. Nëse e vlerësojmë siç e vlerësuam këtu në Shqipëri, besoj se do t’i marrim tre pikët edhe aty. Ky është qëllimi jonë.
A e mendojmë vendin e dytë? – Normalisht që e mendojmë. Kemi marrë 9 pikë, kemi fituar ndaj Sllovenisë, kemi një grup me lojtarë shumë cilësorë, si individualisht, por edhe si grup. Do e synojmë vendin e dytë deri në fund.
Edhe Jorgo Pëllumbi thekson se ndeshja e parë e Sllovenisë ka fokusin kryesor të skuadrës së drejtuar nga Bushi dhe më tej ekipi do të nisë të mendojë për Kosovën. Sa i përket objektivave për vendin e dytë, Pëllumbi beson se mund të arrihet pasi grupi kuqezi është mjaft cilësor.
Gjendja e ekipit deri sot – Kemi disa ditë stërvitje në Durrës. E shikoj grupin shumë mirë, jemi të gjithë në formë dhe nuk kemi dëmtime.
Sllovenia? – Kemi një ndeshje shumë të vështirë. Pak a shumë e njohim Slloveninë pasi luajtëm para një muaji këtu dhe besoj se do të jetë akoma më e vështirë se këtu. Por besojmë dhe do shkojmë të marrim tre pikëshin.
Ndeshja e dytë ndaj Kosovës? – Për momentin po studiojmë ndeshjen me Slloveninë, sepse ajo është e para dhe më e rëndësishmja për momentin. Kosovën e njohim nga viti i kaluar që kemi luajtur, e dimë që është një kundërshtar i fortë. Por në fillim do të fokusohemi te ndeshja me Slloveninë, pastaj mendojmë për Kosovën
Vendi i dytë në grup? – Në katër ndeshje kemi marrë 9 pikë. Kemi bërë një fillim shumë të mirë, mundësitë janë. Kemi lojtarë shumë të mirë në grup dhe besoj se është e arritshme, por do të shohim ndeshje pas ndeshje.
Ecuria me klubin dhe synimet për të ardhmen – Me klubin jam shumë mirë. Po luftojmë që të arrijmë vendin e parë që të kthehemi në ligën e parë në Kroaci. Ndërsa me Kombëtaren qëllimi është gjithmonë që të kualifikohemi.