Sinqeriteti fut në telashe Leaon: “Ibra apo Ronaldo? Preferoj CR7”
“Ibrahimovic apo Cristiano Ronaldo? Unë gjithmonë përpiqem të mësoj prej tyre, ata janë dy lojtarë të mëdhenj. Jam më i lumtur kur ndaj fushën me CR7 sepse ai është një lojtar që e admiroj shumë”.
Kështu Rafael Leao, sulmuesi portugez i Milanit, foli në konferencën për shtyp direkt nga grumbullimi i Portugalisë në funksion të ndeshjeve kundër Irlandës dhe Serbisë. Fjalë që bënë menjëherë ‘zhurmë’ në rrjetet sociale dhe që e detyruan sulmuesin e ri kuqezi të bënte një lloj marshi mbrapa.
Me një postim në profilin e tij në Twitter, Leao në fakt është munduar të sqarohet, duke shpjeguar se është i lumtur që punon “me të dy”. Në fakt, nuk mund të ishte ndryshe, sepse duke njohur Ibran gjërat për sulmuesin e ri milanez do të komplikoheshin në fushë. E nuk është mirë të nervozosh një si Ibrahimovic…