Dorëheqja e Zaevit: Pse ky është një kijamet për stabilitetin e rajonit?
Shkruan: PERISKOPI
Askush që beson në progres, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe agjendë evropiane nuk duhet t’i gëzohet dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev dhe humbjes zgjedhore të partisë së tij LSDM në zgjedhjet lokale të Maqedonisë Veriore. Më së paku, Kosova dhe Shqipëria.
Sa është e dëmshme dorëheqja e Zoran Zaev nga posti i kryeministrit të Maqedonisë Veriore dhe nga shefi i partisë së tij, LSDM?
Së pari, do ta dëmtojë strukturalisht orientimin pro-evropian të Maqedonisë Veriore. Forcat reaksionare që fituan pushtetin lokal (VMRO-DPMNE dhe partitë opozitare shqiptare) nuk njihen për agjendë të theksuar pro-evropiane. Ky është një fakt fatkeq – por fakt, megjithatë.
Së dyti, qeveria e Zaev ishte mbase qeveria më progresive (politikisht dhe ekonomikisht) që e pati Maqedonia Veriore prej themelimit të saj më 1991. Gjithnjë krahasuar me qeveritë e mëparshme, kjo e Zaevit u dallua për transparencë të shtuar në fushën e rendit dhe ligjit, si dhe u përpoq të mirëmbajë agjendë të stabilitetit ndër-etnik.
Së treti, shkuarja e Zaev e rrezikon seriozisht funksionimin e mëtutjeshëm të Open Balkan-it – duke e lënë të vetmuar Shqipërinë dhe Serbinë, pa justifikim për vazhdim të mëtutjeshëm të projektit. S’do mend, kjo do të aplaudohet zëshëm nga qeveria aktuale dhe udhëheqja politike në Kosovë, edhe pse, në esencë, nënkupton lajm të keq në afat të mesëm dhe të gjatë. Mbi të gjitha, është lajm i keq për faktin se Open Balkan është vetëm emërtim tjetër për ‘Mini-Schengenin’ që ishte ndër pikat kryesore të Marrëveshjes së Ëashingtonit nga shtatori 2020. Shkurt, rrezikimi i Open Balkan është rrezikim i Marrëveshjes së Ëashingtonit, e me këtë edhe komplikim i panevojshëm në përpjekjet e shtrirjes së ndikimit të SHBA-ve në rajon (ndikim, që më së shumti i konvenon pikërisht shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri).
Shkurt, forcat reaksionare fituan pushtetin lokal në Maqedoninë Veriore. Sot, pas dorëheqjes së Zaevit duhet të pritet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, kurse gjasat janë që VMRO-DPMNE se bashku me aleatët e tyre shqiptarë ta fitojnë edhe pushtetin qëndror. Këtu, duhet përsëritur se, sikurse VMRO-DPMNE, ashtu edhe Lëvizja BESA (që fitoi komunën më të madhe shqiptare, Tetovën) nuk shquhen për agjenda pro-evropiane apo pro-perëndimore. Historikisht, sytë e tyre ideologjikë ishin të kthyer kah Lindja – qoftë nga Rusia (VMRO-DPMNE), qoftë nga Turqia (BESA). Sado që kjo mund të tingëllojë kontraverse dhe e kontestueshme kur formulohet kaq drejtpërdrejtë, megjithatë mbetet fakt të cilin asnjëra nga to s’mund ta mohojë.
Prej sot, ky fakt do të jetë shqetësim shumë më i madh për Bashkimin Evropian dhe për raportuesit e tij impotentë për Ballkanin – se për Zaevin dhe LSDM-në e tij. Nga ky kënd duhet të interpretohet edhe dorëheqja impulsive e Zaevit: si akt proteste ndaj injorimit dhe indiferencës së Brukselit në çastet më të ndjeshme të Maqedonisë Veriore. Ishte mospërfillje aq e rëndë, sa që lehtësisht u përdor nga grupet më reaksionare dhe anti-evropiane në vend. Porosia e Zaevit për Brukselin me dorëheqjen e tij është e thjeshtë: ‘nëse nuk deshtën ta dëgjoni nënën, tash do ta dëgjoni njerkën’. Pra, nëse qeverisja e tij nuk ishte ‘mjaftueshëm evropiane’, tash e tutje rajoni dhe Brukseli do ta shohin se sa ‘evropiane’ do të jetë agjenda e VMRO-DPMNE dhe e aleatëve të tyre.
Patjetër, në afat të shkurtër, përmbysja e LSDM-së në zgjedhjet lokale do të maskohet publikisht si fitore e ‘reformatorëve’ dhe ‘progresistëve’. Do të dëgjohen fraza mbi ‘fitoren ndaj hajnisë dhe korrupsionit’, mbi ‘triumfin e demokracisë’ dhe dokrra të tjera. Mirëpo, shpejtë do të vërehet se mposhtja e Zaevit ishte pasojë e demagogjisë ordinere ndaj një shoqërie politikisht analfabete. Prej sot, rajoni i Ballkanit jugperëndimor ka rrëshqitur edhe një shkallë më thellë në jostabilitet dhe, si zakonisht, i prirë nga grupe politike të cilat agjendat e dyshimta i kanë të mbështjellura me fraza mbi çlirimin dhe progresin.