Rrahmani flet për formën e Napolit: Kemi skuadër të mirë, është herët të flasim për titullin e kampionit

Rrahmani flet për formën e Napolit: Kemi skuadër të mirë, është herët të flasim për titullin e kampionit

Amir Rrahmani po kalon momentet më të mira në karrierën e tij, kur këtë sezon me Napoli është shndërruar në një titullar të paprekshëm në formacion.

Besimin e dhënë nga Spalletti, lojtari e ka justifikuar për mrekulli dhe tani emri i tij gëzon shumë lëvdata edhe në mediet italiane.

Mbrojtësi kosovar ka folur lidhur me formën e skuadrës, duke u shprehur shumë i lumtur, megjithatë është treguar i kujdesshëm kur është pyetur për gjasat për titullin e kampionit.

“Gjithmonë e kam thënë se sekreti i mbrojtjes sonë është puna e gjithë skuadrës”, ka thënë Rrahmani, përcjell Periskopi. “Nëse të gjithë i japim dorën njëri-tjetrit për ne mbrojtësit është më e lehtë, edhe sulmuesit po na ndihmojnë”, shtoi ai.

“Kemi një skuadër shumë të fortë në dispozicion, kemi futbollistë që ndryshojnë lojën kur vijnë nga banka, pesë zëvendësime janë faktor i rëndësishëm për ne”.

Rrahmani gjithashtu foli për mundësinë që Napoli të fitojë titullin në fund, pasi prijnë në tabelë momentalisht.

“Është herët të flasim për titull, kanë kaluar vetëm 10 ndeshje, duhet ti marrim ndeshjet një nga një, të gjitha ndeshjet janë të komplikuara. Tani të gjitha ekipet do të luajnë më ashpër ndaj nesh duke ditur mënyrën tonë të lojës”, tha mes tjerash kosovari. /Periskopi./

Shpërndaje në: