Drita siguron tri pikë të rëndësishme në spektaklin kundër Llapit

Drita siguron tri pikë të rëndësishme në spektaklin kundër Llapit

Drita ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Llapi 1-3, duke ia ndërprerë serinë fantastike vendasve që kishin tri fitore radhazi.

Ndeshja nisi për mrekulli për mysafirët të cilët vetëm pas katër minutash lojë fituan penallti.

I saktë nga pika e bardhë ishte Astrit Fazliu që kaloi gjilanasit në epërsi 0-1.

Vendasit në minutën e 28-të mbetën me një futbollist më pak, pasi mesfushori Krasniqi u largua me karton të kuq nga loja.

Drita nuk u ndal dhe në minutën e 34-të realizuan golin e dytë, kur Marko Simonovski asistoi tek Hamdi Namani i cili realizoi nga afërsia për 0-2.

Pas golit të dytë Drita pati raste të mira me Hamdi Namanin e Ardian Limanin, por goditja e të parit shkoi jashtë, derisa e kapitenit u ndal nga shtylla.

Krejt në fund të pjesës së parë, Llapi fitoi penallti kur Alban Shillova u ndal në zonë nga Prince Balde.

Gjyqtari Genc Nuza pasi rishikoi rastin në VAR e përjashtoi nga loja, teksa Shillova realizoi për 1-2.

Me epërsinë e Dritës 1-2 përfunduan 45 minutat e para të kësaj ndeshje.

Pjesa e dytë u nis më mirë nga vendasit të cilët krijuan disa raste të mira shënimi.

Më i miri rast iu tregua sulmuesit Kastriot Selmani i cili nga një distancë prej pesë metrash në portën bosh qëlloi vetëm shtyllën

Në minutën e 72-të, Drita gjeti golin e qetësisë, kur Marko Simonovski realizoi për 1-3.

Vetëm një minutë më vonë, llapjanët përsëri tentuan të gjejnë golin, por topin nga vija fatale e largoi Ilir Blakçori.

Llapi pati një tjetër mundësi me Edon Sadriun, por që edhe goditja e tij u ndal nga shtylla.

Në minutën e 87-të Llapi gjeti golin e dytë me brazilianin Firminio, por që pas rishikimit në VAR goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Kësisoj Drita mori një fitore tejet të madhe në udhëtim te Llapi me rezultat 1-3.

Me këto tri pikë, Drita ngritët në vendin e dytë në tabelë me 19 pikë, derisa Llapi mbetet në vendin e shtatë me 12 pikë.

Ndeshjen e radhës Drita e zhvillon ndaj Malishevës në Gjilan, teksa Llapi udhëton drejt Drenasit për tu përballur me Feronikelin.

Shpërndaje në: