Autonomia e gruas
Është gjë e pakëndshme të shkruash për qenien njerëzore, duke e pasur të nevojshme të bësh kategorizim të këtillë si “gruaja”, sepse përkundër faktit se ajo ekziston në natyrën e saj si “grua”, ky emërtim, para se të ketë qëllim të shfaqë natyrën e saj, pretendon të shfaqë shpjegimin socio-kulturor dhe politik të një entiteti që nxjerr në pah shumë gjëra, e më së paku qenien e saj.
Por fatkeqësisht, trajtimi i kësaj natyre bëhet i nevojshëm, pasi që në shkallë globale e në mes tjerash edhe në Kosovë, ka ende prej atyre që e mendojnë “gruan” si objekt, para se ta mendojnë si qenie autonome. Ka prej atyre që e kërkojnë emancipimin e gruas, si diçka që i duhet asaj, si dhe prej atyre që këtë “emancipim” e lidhin me shpjegimin e tyre se çfarë përbën emancipim. Për të mos lënë anash edhe faktin se ka shumë të tjerë, që autonominë e gruas, e lidhin me atë çfarë ata e konceptojnë që duhet t’i takojë si sferë autonome asaj.
Megjithatë konstatimi i tillë nuk është çështje. Çështja është ballafaqimi me këto bindje. Çfarë është shtruar këtu ka të bëjë pikërisht me kauzën, ngase për gruan si qenie dhe për atë çfarë i takon e duhet t’i takojë asaj me të drejtë, jo vetëm në Kosovë por në shkallë më të gjerë, fillimisht veprohet pak, e për aq sa veprohet, shpesh herë nuk veprohet siç duhet.
Dhe kjo, po që është kauzë, në mes tjerash e para së gjithash politike, sepse autonomia e gruas si qenie dhe vetëdije, para se të jetë jo vetëm problem socio-kulturor, është edhe problem politik.
Megjithëse ky problem universal manifestohet në mënyra të ndryshme, shpesh herë duke iu atribuuar si shkak religjionit, kulturës e traditës, në të vërtetë bazë për të nuk është as religjioni, as tradita dhe as shtypja gjinore si kategori në vete. Bazë për të, sot është përdorimi i religjionit, traditës dhe shtypjes gjinore politike, si konvertim për t’ia përshtatur mënyrës së vërtetë të asaj se si shihen gratë në rolin e tyre shoqëror.
Para se të trajtojmë këtë problem të kudondodhshëm, dua të flas shkurt për atë çka kuptohet me autonomi. Që nga emri, (gr: auto-vetë dhe nomos-ligj), ajo dëftohet si diçka vetërregulluese, duke kuptuar në radhë të parë kapacitetin që dikush të ushtrojë përcaktimin dhe vendimet e veta të pavarura e të pandikuara.
Në dimensionin njerëzor, autonomia shfaqet përmes individualitetit dhe vetë-aktualizimit. Ajo manifestohet në lirinë për të marrë vendime të pavarura përmes mendimit të lirë dhe reflektimit personal. Ajo në mes tjerash, është edhe status politik që nënkupton “mveshjen e individit” me identitetin e “qytetarit”, duke e zhveshur nga prerogativa gjinore, rrjedhimisht duke ia njohur të drejtën dhe lirinë e të qenurit i/e barabartë, për të përmirësuar statusin ekonomik, social e kulturor në shoqëri.
Në kuptimin e ngjashëm, ajo i atribuohet edhe autonomisë në dimensionin gjinor. Për gruan, autonomia përfshinë gjendjen e të qenurit e pavarur, si dhe veprimin mbi bazën e emocioneve, vlerave, arsyes e motiveve vetanake të saj.
Megjithëse janë të njohura debatet rreth autonomisë së gruas, ky aspekt nuk është subjekt i këtij shkrimi. Por në realitetin tonë të përditshëm në Kosovë, haset diçka politikisht e konceptuar në mënyrë të gabuar që nuk mund të mos shënohet në këtë diskurs, ku nga të gjitha debatet që rrjedhin, dominon perspektiva e cila, në thelb ka kuptimin e autonomisë së gruas nga rrafshi i mjaftueshmërisë.
Pra një grua tek ne, konsiderohet e pavarur dhe autonome, vetëm për aq sa ajo është e vetëmjaftueshme. E “zonja” siç do të thuhej në diskutimet që zënë vend kafeneve tona.
Megjithatë, në thelb, ky është një ndër përshkrimet më kundër autonom që mund të haset, i cili është maskim dhe jo shpjegim i dimensionit të autonomisë. Prandaj, nëse ka një këshillë që do ta ndaja me të gjithë aktivistët dhe personat e angazhuar për barazi gjinore, do të ishte refuzimi kategorik i “vetëmjaftueshmërisë” së gruas, si kusht për shpjegimin e autonomisë së saj.
Kjo për faktin, se “vetëmjaftueshmëria” është e lidhur me rrethana socio-ekonomike, ndërsa autonomia është e lidhur me rrethana identitare, politike e statusore. Pra, qenia e gruas, ose duhet konsideruar autonome për nga natyra dhe e drejta, si status qytetar parësor, ose nuk ka nevojë të konsiderohet e tillë nga vlerësimi ynë se ajo ka përmbushur kushtin për të qenë autonome, sepse është e vetëmjaftueshme.
Problemi me këtë qasje shtrihet në shumë sektorë përmes “modeleve” që i shërbehen opinionit si standard. Flitet për gra ndërmarrëse e të suksesshme, për politikane të zonja e të fuqishme. Flitet pra, për modelin e gruas së vetëmjaftueshme, e cila, pas përpjekjeve të mëdha e të mundimshme, ia ka dalë t’i arrijë objektivat e saja jetësore, duke shërbyer kështu si shembull i suksesit dhe inspirimit për gratë dhe vajzat brenda një shoqërie.
Por në këto raste, ndonëse flitet për “gratë model” që inspirojnë në shkallë të gjerë, askund nuk flitet për autonominë e gruas. Ngase autonomia e gruas është çështje personale dhe i takon secilës grua, pavarësisht se sa mund të arrijë ajo në jetë, e absolutisht jo një model krahasues që shërben si referencë për t’u ndjekur.
Rrjedhimisht, përpjekja për të shërbyer modele suksesi, si rrugë të qenësimit të gruas në jetë, është përpjekje që shkon kundër asaj çfarë në të vërtetë i takon e duhet t’i takojë gruas, në një mënyrë autonome të të jetuarit. Ngase defekti themelor me mungesën e autonomisë së gruas tek ne, nuk është shëmbëlltyra që mungon. Problemi i vërtetë me autonominë e gruas, është mënyra politike e shpjegimit dhe interpretimit, rreth të drejtës së saj, për të qenë e për t’u bërë ajo çfarë dëshiron të jetë.
Para se të flasim më tutje për autonominë si problem politik e statusor, duhet të identifikojmë situata që na dëftojnë çka nuk është autonomi e gruas, e të cilave rendi e di që shoqëria t’i kundërvihet.
Autonomi e gruas, në radhë të parë nuk është dorëheqja nga vetvetja. Në fakt, dorëheqja nga vetvetja, është armiku më i madh i autonomisë. Të heqësh dorë nga vetvetja nënkupton nënshtrimin ndaj preferencave të të tjerëve. Një grua e “dorëhequr” nga autonomia e saj, është rrëfimi më i shpeshtë që hasim në përditshmërinë tonë. Ajo pra, i nënshtrohet dëshirave të të tjerëve, si rrugë e mjet për tu aktualizuar. Ky në fakt, nuk është vetë aktualizim. Është arratisje nga materializimi autonom.
Në një situatë të tillë të “dorëheqjes nga vetvetja” gruaja kosovare zakonisht i përshtatet në mënyrë krejtësisht të pandërgjegjësuar kushteve të shoqërisë, të cilat shpesh herë janë shtypëse në vetvete. Ajo pranon pagë për atë që shoqëria vlerëson se i takon një gruaje. Ajo pranon shpjegimin që shoqëria i jap të drejtave të saj. Ajo pranon gjithçka, çka e shmangë nga ballafaqimi i nevojshëm për të arritur autonominë e saj të plotë përballë çdo gjëje.
Kjo “dorëheqje” manifestohet jo vetëm në raportet personale bashkëshortore, por edhe ato sociale si kategori klasore, edhe ato politike si kategori konformiste. Manifestohet në ushtrimin e punës dhe profesionit që i diktohet, më shumë sesa ushtrimit të profesionit për të cilin ka ëndërruar dhe ka zhvilluar afinitet e kompetencë. Manifestohet në lirinë e edukimit. Manifestohet edhe në lirinë për të ndjekur angazhimin që mund të mos ketë kurrfarë leverdie për dikë tjetër, por që ka shije estetike e etike dhe personale për atë që ëndërron ta zhvillojë. Në këtë manifestim të hapur e të pranishëm kudo përreth nesh, rrjedhimisht, “gruaja” nuk është “agjent” i vetvetes, por përshtatje ndaj “agjentëve” të tjerë dhe preferencave të tyre.
Por manifestimi më i thellë është i natyrës politike. Pa hyrë në detaje të mos mbështetjes që gratë marrin në forume politike ku merren vendime konkrete e të përditshme, apo në mos financimin e barabartë të tyre në raport me burrat e politikës, kjo shihet edhe në konceptin e “kuotave”. Kuotat në esencë, janë shumë të nevojshme si një “lloj standardi” që iu imponohet vendeve me zhvillim të hershëm të demokracisë, si dëftim i nevojës për përfshirjen e tyre në rendin politik demokratik. Por paralelisht me avancimin e rrethanave shoqërore, kuotat fillojnë të bëhen një “luks” i panevojshëm dhe jashtëzakonisht i paarsyeshëm, madje edhe pengesë për çlirimin e potencialit politik të grave.
Kjo për shkak se gratë në politikë, duhet inkurajuar për të marrë pjesë për shkak të botëkuptimeve që sjellin, jo për shkak standardeve që përmbushin. Gratë, ngjashëm si edhe burrat, në esencë janë e duhet kuptuar si qenie botëkuptimore e autonome politike, që e zotërojnë hapësirën që iu duhet. Për habi, nuk dëgjohet shpesh zëri i grave të përfaqësuara në politikë, kundër këtij segmenti të kundërt me qenien politike autonome. Asnjë parti politike deri më sot, nuk ka ndërtuar qëndrim rreth emancipimit në raport me kuotat gjinore, nëse jo plotësisht kundër kuotave, së paku një debat për hapjen e një horizonti të ri gjithëpërfshirës e përfaqësues.
Së dyti, autonomi e gruas nuk është adaptimi apo përshtatja. Çka përfshinë adaptimi në këtë rast? Heqjen dorë nga besimi se gruaja ka fuqi të mjaftueshme për t’i arritur synimet e veta, e në mungesë të kësaj fuqie, ajo adoptohet me ato role që i diktohen si të tilla.
Rrjedhimisht, ndonëse gratë përbëjnë e përfshihen në shumë role të ndryshme sociale e socio-politike, për pjesën dërrmuese të grave në shoqërinë tonë, ende vazhdon të dominojë adaptimi i vazhdueshëm ndaj roleve të paracaktuara.
Ta zëmë si shembull konceptin e “amvisërisë”. Është dekurajuese që shoqëria jonë demokratike dhe në progres e sipër, vazhdon të tolerojë në mesin e vet një koncept të tillë siç është “amvisëria”, si emërtim universal për të përshkruar secilën grua që nuk është në marrëdhënie kontraktuale pune. Është edhe më e habitshme se si dimensioni politik i shoqërisë kosovare e identifikon këtë kategori, si diçka që i përket sferës sociale në disavantazh, të cilës rëndom duhet t’i ofrohet ndihmë e përkujdesje, por jo edhe status qytetar e mundësi për t’i nxjerrë në tjetër rrethanë më të mirë. Ndërsa është e dhimbshme që gratë që i përgjigjen këtij përshkrimi në kuptim të rrethanave të tyre konkrete, i adoptohen kategorizimit të tillë, si diçka të vulosur e të pandryshuar. Pra, adaptimi me atë që i përshkruhet gruas si mënyrë jetesë, është shkalla e dytë kundër autonomisë së saj që e hasim në shoqërinë tonë.
Lista e gjërave se çfarë nuk është autonomi e gruas është e gjatë. Por më e rëndësishme është të flasim rreth asaj çfarë në përsiatjet filozofike e socio-politike, na del të jetë autonomi e saj.
Në radhë të parë, autonomia e gruas nënkupton një proces të reflektimit të brendshëm mbi motivet, besimet, vlerat dhe preferencat e saj vetanake. Pra, një grua që është e lirë të mendojë dhe të vejë në zbatim atë çfarë ajo e koncepton si nevojë të saj për vet përmbushje. Në këtë rast, autonomia nënkupton në radhë të parë autenticitetin. Duke qenë autonome dhe autentike, ajo e sfidon dhe i kundërvihet alienimit (tjetërsimit) me të cilin haset kudo përreth.
Një grua autonome rrjedhimisht, ushtron repertuarin e aftësive të saj në drejtim të zbulimit të vetvetes, vetëdefinimit dhe vetëdrejtimit. Një grua autonome kësisoj, përbën vetën autentike të saj, rrjedhimisht evoluimin e vazhdueshëm që zhvillohet përmes procesit të reflektimit, çlirimit dhe veprimit të lirë. Mbi të gjitha, një grua autonome, nënkupton identitet në vetvete, që ndërtohet në dialog, e ndoshta edhe në konflikt me gjërat dhe të tjerët, mbi atë çfarë ajo është, e kundër asaj çfarë të tjerët duan që ajo të jetë.
Një grua të tillë autonome, fatkeqësisht e hasim tepër pak. Jo për shkak se s’ka të tilla, por për shkak se konditat shoqërore tek ne, shpesh herë e limitojnë të njëjtën deri në vetëmohim.
Se çfarë është alternativë për ta bërë prezentë autonominë e gruas në mesin tonë, varet shumë nga njohja jonë thellësisht esenciale, se ajo është person dhe qenie autonome, e jo objekt dhe agjent social i varur nga agjentët tjerë.
Në rrafshin politik, një autonomi e tillë nuk arrihet dot pa ia njohur gruas elementin themelor të një rendi të lirë, statusin e qytetarit. Ideja se një grua trajtohet si “grua” në çdo instancë politike e institucionale, para se të trajtohet si “qytetar” i rendit politik, është pengesa themelore për autonominë e saj.
Beteja për autonominë e gruas rrjedhimisht, është betejë kundër çdo tendence që gruan e zhveshë nga ky status. Ngase vetëm njohja e plotë e tij, çliron mundësinë e gruas për ta realizuar vetveten dhe autonominë e saj, në çdo dimension ligjor e kushtetues që i njeh rendi ynë. Kjo është pengesa themelore dhe ajo duhet thyer patjetër.