Stërvitja qesharake e Claudio Ranierit disa ditë para ndeshjeve ‘jetë a vdekje’, i ka lënë futbollistët të shokuar
Futbollistët e Fulhamit kishin mbetur të frustruar nga regjimi bizar stërvitor i Claudio Ranierit, i cili i detyroi ata të luajnë hendboll para ndeshjeve kruciale.
Ranieri është rikthyer në Premier League te Watfordi pasi u shkarkua nga klubi londinez në vitin 2019, dhe do ta zhvillojë ndeshjen e parë kundër Liverpoolit, transmeton Periskopi.
Dhe ‘The Sun’ zbulon se italiani me eksperiencë i mërziste futbollistët me një orë hendboll – në vend se të bënte seanca taktike dhe nga ndërprerjet, derisa klubi po përballej me rënie nga liga.
Gjërat u përkeqësuan aq shumë në prapaskena, saqë një grup i futbollistëve u kishin thënë pronarëve të klubit se Ranieri nuk është njeriu që mund ta shpëtojë skuadrën nga rënia.
Derisa humbjet nuk ndaleshin, Ranieri refuzonte të ndryshonte qasjen, gjë që alarmoi skuadrën.
Një burim i ka thënë ‘Sun’: ”Kur gjërat shkojnë keq, ju prisni që trajneri të mundohet të gjejë një përgjigje për të dalë nga rrëmuja.
”Por krejt çka morën ata para ndeshjeve kruciale, kur çdo pikë kishte rëndësi, ishte ndeshje hendbolli.
”Erdhi në një pikë kur disa prej lojtarëve u ngopën dhe u thanë pronarëve se duhet të bëjnë ndryshim ose e kanë të sigurtë rënien.”
Scott Parker zëvendësoi Ranierin por dështoi ta mbante skuadrën në elitën e futbollit anglez.
Tash, Ranieri e ka detyrën e mbajtjes së Watfordit në Premier League, pas një ecurie prej vetëm dy fitoreve në shtatë ndeshje. /Periskopi.com/