Çka tregon ‚video-sulmi‘ 2 minutësh i z.Kurti sot?
Kryeministri Albin Kurti njëherish kryetar i Vetëvendosjes, sot ka dalë me një video, ku bën thirrje të votohen kandidatët e partisë së tij, të dielën e 17 tetorit për zgjedhjet komunale.
Ajo që është interesant në këtë video, është se si z.Kurti më shumë sulmon mediat dhe kandidatët e partive të tjera sesa që bën ndonjë adresim përmbajtësor.
‘Dhe atyre që duan të fitojnë me reklama në media e me sondazhe të ujdisura’, thotë z.Kurti mes tjerash në këtë video.
Por, zgjedhjet e 14 shkurtit të cilat – le të thuhet se – nuk kanë qenë edhe aq larg prej sot, ka qenë partia e z.Kurti e cila ka qenë mjaft aktive me video në rrjete sociale, media etj. Madje ka qenë vet z.Kurti i cili me fushatën e shumë-kopjuar nga presidenti Joe Biden, i bënte mjaft reklamë vetes, kudo që mundej.
Sulmi i z.Kurti ndaj mediave për sondazhet, vjen në kohën kur kandidatët e partisë së tij, nuk dalin edhe aq mirë, përfshirë qendrat e mëdha si: Prishtina, Mitrovica e madje edhe Prizreni.
Të sulmohen mediat për marketing në kohë fushate – në epokën e globalizimit e digjitalizimit – jo vetëm që është qesharake, por bëhet edhe shqetësuese. Në të gjithë botën demokratike, bëhet kështu. Por, kjo kapërdihet kur kihen parasysh sulmet e vazhdueshme të partisë së Kurtit ndaj mediave dhe tendenca e partisë në pushtet për t’i etiketuar të gjitha mediat kritike ndaj Qeverisë si ‘media të regjimit të vjetër’. Kapërdihet, për faktin se sulmet ndaj mediave nga eksponentë të partisë në pushtet, janë aq të shpeshta saqë le të themi se mediat kanë arritur njëfarë ‘imunizimi’ ndaj tyre.
Si duket, z.Kurti nuk është i njoftuar se edhe kandidatë të partisë së tij, bëjnë marketing, anipse në media kryesisht lokale.
Mesazhi i z.Kurti, dukej që ishte kryekëput për Prishtinën. Pse? Sepse kemi kandidatë shumë aktiv me fushatat e tyre – mjaft interesante – në garën për kryeqytetin: Pëprarim Rama, Daut Haradinaj, Uran Ismaili – fushata të cilat duket se kanë prishur hesapet e sondazheve në dëm të VV-së, e ndërkohë e kemi kandidatin e VV-së, Arben Vitinë, i cili ka pak ditë që ka filluar të shfaqet në mesin e prishtinasve. Nën preteksin se po përkujdesej për ‘shëndetin e popullit’ (sic. intervista në Kallxo), Vitia u ‘bë i gjallë’ si kandidat për Prishtinën vetëm para pak ditësh dhe pakkush di ta numërojë të paktën një premtim të tij për zgjedhjet e 17 tetorit.
Jemi në javën e fundit të fushatës zgjedhore të 17 tetorit dhe duket se Vetëvendosja, synon ta mbajë inercionin e fitores së 14 shkurtit dhe kjo shihet edhe nga mesazhi i Kurtit drejtuar anëtarëve/aktivistë të partisë së tij që ‘t’i ndezin edhe turbinat, përveç motorëve’.
Kjo shihet edhe nga prania e shpeshtë e z.Kurti në fushatë – sidomos ne qendrat ku po parashikohet humbja e Vetëvendosjes, ose në rastin më të mirë – balotazhi.
Do të shihet, sot një javë rezultati. A do të votojnë kosovarët që në qytetet e tyre, t’i udhëheqin ata që iu ofruan program, apo do të votojnë për ‘Albin Kurtin kryetar të komunës’? /Dafina Demaku/Periskopi/