Sa minuta e shkurton jetën e shëndetshme një hot dog dhe çfarë e zgjat atë
Ngrënia e një hot dog-u të vetëm mund t’ju marrë 36 minuta jetë, sipas një studimi të ekspertëve të shëndetit në Universitetin e Michigan-it.
Në studimin e botuar në revistën Nature Food, studiuesit shqyrtuan 5,853 ushqime dhe matën efektet e tyre në minuta të jetës së shëndetshme – të fituara ose të humbura.
“Ne donim të bënim një vlerësim të shëndetit të bazuar te ndikimet e dobishme dhe të dëmshme të ushqimit në të gjithë dietën,” tha për CNN Olivier Jolliet, profesor i shkencave të shëndetit mjedisor në universitet dhe autor i studimit.
Ata përdorën The Global Burden of Disease Study (GBD) – një program gjithëpërfshirës kërkimor rajonal dhe global i sëmundjeve që vlerëson vdekshmërinë dhe paaftësinë nga sëmundjet kryesore, dëmtimet dhe faktorët e rrezikut. GBD është një bashkëpunim i mbi 3,600 studiuesve nga 145 vende dhe financohet nga Bill and Melinda Gates Foundation.
“Për shembull, ju humbni 0.45 minuta për gram mish të përpunuar, ose 0.1 minuta fitohen për gram fruta. Ne pastaj shohim përbërjen e secilit ushqim dhe më pas e shumëzojmë këtë numër me profilet përkatëse të ushqimit që kemi zhvilluar më parë,” tha Jolliet.
Një nga ushqimet e matura nga studiuesit ishte një hot dog. Sasia e mishit të përpunuar rezultoi në humbjen e 27 minutave të jetës së shëndetshme, tha Jolliet – por vlera përfundimtare është 36 minuta për shkak të përbërësve të tjerë si natriumi dhe acidet yndyrore.
Konsumimi i ushqimeve të tilla si arrat, bishtajoret, ushqimet e detit, frutat dhe perimet, nga ana tjetër, kanë efekte pozitive në shëndet.
“Çështja është të zgjedhësh ushqime më të mira, të mos kalosh kohë duke bërë matematikë, shtoi Jolliet.