Berlusconi në lidhje me deputeten 53-vjet më të re

Berlusconi në lidhje me deputeten 53-vjet më të re

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, raportohet se është ndarë nga e dashura e tij e kahershme dhe se tani e ka filluar një lidhje të re me një grua 53 vjet më të re se ai.

Politikani e magnati 83-vjeçar i Italisë ishte në lidhje me Francesca Pascalen, 34-vjeçare, që prej vitit 2012.

Partia e tij “Forza Italia” ka konfirmuar ndarjen e çiftit përmes një deklarate, duke bërë të ditur se dyshja do të vazhdojë të ruajë miqësinë. Por Pascale u kap në befasi nga deklarata e partisë dhe shtoi për gazetën e vendit “La Repubblica” se ajo ishte e habitur nga deklarata.

“Unë do ta mbaj të dashur përgjithmonë. I uroj gjithë lumturinë e botës dhe shpresoj se ai gjen dikë që do të kujdeset për të ashtu si unë”, ka thënë ish- e dashura e tij, raporton “Sky News”. Berlusconi megjithatë ka gjetur menjëherë një të dashur të re. Disa media kanë raportuar se ai tani është në lidhje me Marta Fascinan, një deputete 30-vjeçare e Parlamentit, nga radhët e partisë së Berlusconit.

Lajmi u bë i ditur pas daljes në publik të fotografive të magnatit të divorcuar tek del në dy raste me Fascinan nga një hotel në Zvicër, duke ecur bashkë me qenin e Pascales, Dudu.

“Më bëhet qejfi të shoh një deputete të parlamentit që nxjerr qenin tim për një shëtitje. Por kjo është në rregull për mua”, ka thënë Pascale.

Berlusconi, i cili e ka dominuar skenën politike të Italisë për më shumë se dy dekada, ishte përfshirë shumë herë në skandale seksuale, ndërsa jo rrallë ka bërë edhe gafa skandaloze. Për më tepër, ai është ballafaquar me telashe të njëpasnjëshme me drejtësinë, me ç’rast edhe ishte dënuar më 2013 me shtatë vjet burg, për shkak se kishte paguar për shërbime seksuale me një të mitur 17-vjeçare. Vendimi megjithatë ishte rrëzuar më vonë.

Ai ishte kryeministri më jetëgjatë i Italisë që pas Luftës së Dytë Botërore.

Shpërndaje në: