Munishi fiton kur duhet – Gjilani mposht Dritën në derbin e Anamoravës
Ndonëse në një formë jo aq të mirë, skuadra e Gjilanit ka arritur ta fitojë derbin lokal ndaj Dritës.
Në kryendeshjen e javës në Superligën e Kosovës, Gjilani ka marrë fitore 0:2 kundër Dritës, shkruan Periskopi.
Derbi i Gjilanit nuk dha shumë në pjesën e parë, pjesë të cilën skuadrat e mbyllën me rezultatin 0:0. Ajo çka vlen të përmendet ishte një përleshje mes tifozëve, e cila ndodhi pas përfundimit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, ishte Gerhard Progni që me një perlë nga gjuajtja e lirë arriti të zhbllokonte rezultatin dhe t’iu jepte diçka tifozëve.
Progni shënoi në minutën e 66’, dhe goli i tij i dha zemër ‘Skifterave’.
Drita më pas mbeti me 10 lojtarë pasi në minutën e 72’ Prince Balde u ndëshkua me karton të kuq. Kjo bëri që të krijoheshin më shumë hapësira për skuadrën e Munishit, e cila në minutën e 89’ gjeti edhe një herë golin.
Ishte Shend Kelmendi ai që realizoi për 0:2 për të vulosur gjithçka sa i përket këtij takimi.
Me këtë fitore Gjilani shkon në nëntë pikë për pozitën e pestë, kurse Drita mbetet me 11 pikë. /Periskopi/