Usyk emocionohet pas fitores: Kjo do të thotë shumë për mua, dueli shkoi siç prisja unë
Oleksandr Usyk ka thënë edhe fjalët e para si kampion i botës në peshat e rënda në boks.
Boksieri ukrainas ka arritur ta mposht Anthony Joshuan me vendim unanim të jurisë, duke e dominuar britanikun.
Pasi mori titujt e kampionit, Usyk ka thënë disa fjalë për ‘Sky Sports Box Office’, përcjell Periskopi.
“Kjo do të thotë shumë për mua. Dueli shkoi siç prisja unë të shkonte. Kishte momente kur Anthony godiste fortë, por s’ishte asgjë speciale. Nuk e kisha synim ta nokautoja, sepse ashtu më thanë trajnerët e mi. Në fillim, tentova ta godisja fort, por pastaj bëra detyrat e mia”, ka thënë Usyk.
“Gjëja e vetme që doja ishte të falënderoja Jezu Krishtin. Kam punuar shumë që nga janari në përgatitjet për këtë duel. Më mori gjysmë viti dhe nuk e kam parë familjen për një kohë të gjatë. Më mungon t’i shoh ata. Dua të shkoj në shtëpi dhe të jme i lumtur me familjen. Nuk po mendoj për revanshin”, ka shtuar ukrainasi. /Periskopi/