Djokovic dëfrehet dhe pozon me kriminelin e luftës, i cili kreu gjenocid kundër myslimanëve

Djokovic dëfrehet dhe pozon me kriminelin e luftës, i cili kreu gjenocid kundër myslimanëve

Tenisti numër 1 në botë, Novak Djokovic ka pozuar dhe është dëfryer me kriminelin serb, Milan Jolovic, i cili ishte komandant i njësisë famëkeqe paramilitare të quajtur ‘Ujqit nga Drina’.

Kjo njësi është përgjegjëse për kryerje gjenocidi kundër myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë.

Në fotografitë që po qarkullojnë nëpër rrjetet sociale shihet Djokovic në të njëjtën tavolinë me të ashtuquajturin ‘Legjenda’.

Në Serbi Jolovic nderohet si shpëtimtari i jetës së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladic, gjatë luftës në Bosnje në fillim të viteve 1990-ta.

Djokovic, babai i të cilit u lind në Zveçan, njihet si mohues i krimeve serbe në Bosnje dhe Kosovë dhe ka qenë kundërshtar i zëshëm i pavarësisë së Kosovës.

Fotografitë e Djokovicit me Jolovicin u publikuan më vonë edhe në mediat serbe.

Në vitin 2017, Gjykata e OKB-së e shpalli Mladicin, ish-gjeneralin serb të Bosnjës, fajtor për krime lufte në Bosnje dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.

“Ujqit e Drinës” ishte një njësi ushtarake e ushtrisë së Republikës Srpska, e cila mori pjesë në vrasje masive të boshnjakëve të Srebrenicës, që më vonë u cilësua si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.

Gjatë një vizite së fundmi në Bosnje, Djokovic u pa duke kënduar në një dasmë bashkë me anëtarin serb të presidencës së Bosnjës, Molorad Dodik, i cili është i njohur si mohues i gjenocidit dhe i cili vazhdimisht bën fushatë për ndarjen entitetit të Bosnjës të udhëhequr nga serbët, Republika Srpska, nga Bosnja.

Eksperti politik Jasmin Mujanoci shkroi në Twitter se Djokovic me gjasë nuk do ta humbë as një sponsor për shkak të lidhjeve me figurat kontroverse.

Shpërndaje në: