Qimet në mjekër te gratë: Çfarë i shkakton dhe kur duhet të shkoni te mjeku
Të paturit qime në mjekër është krejtësisht normale dhe zakonisht nuk është shkak për shqetësim. Ndryshimet e hormoneve, rritja në moshë, madje edhe gjenetika mund të jenë disa nga faktorët e qimeve në mjekër të cilat bien në sy. Megjithatë jo gjithmonë prania e qimeve më të trasha në mjekër ndodh pa shkak.
Çfarë i shkakton qimet e mjekrës?
Të gjithë kanë qime në mjekër dhe kjo është krejt normale. Ne të gjithë kemi folikula vellus që prodhojnë qime shumë të holla në ngjyrë të lehtë dhe i shërbejnë një qëllimi, i cili është të ndihmojë në rregullimin e temperaturës së trupit.
Gjatë pubertetit, rritja e prodhimit të hormonit androgjen bën që këto folikula të bëhen më të mëdha dhe qimet të jenë më të trasha, më të gjata dhe më të errëta. Trupi i të gjithëve prodhon androgjen, por meshkujt kanë nivele më të larta. Kjo është arsyeja pse burrat zakonisht kanë më shumë qime sesa gratë.
Nivelet e hormoneve ndryshojnë gjatë gjithë jetës për shkak të plakjes, shtimit në peshë dhe faktorëve të tjerë, përfshirë shtatzëninë dhe menopauzën. Edhe një rritje e lehtë e androgjenit ose çekuilibër midis hormoneve seksuale mashkullore dhe femërore – të cilat të gjithë i kanë – mund të rezultojë në më shumë qime në vende të pazakonta, si mjekra.
Ka një numër faktorësh që ndikojnë kur bëhet fjalë për qimet e fytyrës. Disa qime janë normale dhe të padëmshme, ndërsa disa mund të jenë një shenjë e një problemi shëndetësor.
Qimet e tepërta të mjekrës ose të fytyrës, ose rritja e papritur e tyre në çdo pjesë të fytyrës, mund të jetë shenjë e një gjendje të quajtur hipertrikozë. Lloji i hipertrikozës për gratë quhet hirsutizëm dhe mund të shkaktojë rritje të qimeve të errëta dhe të trasha në mjekër, buzën e sipërme, gjoks, bark dhe shpinë.
Megjithëse shkaku i saktë i hirsutizmit nuk dihet gjithmonë, mund të shkaktohet nga disa gjendje shëndetësore (përpos faktorëve që përmendëm më sipër):
Sindroma e vezoreve policistike (PCOS): Karakterizohet nga një grup simptomash që prekin vezoret, duke përfshirë:
– kiste të vogla në vezore
– nivele të larta të androgjenit dhe hormoneve të tjera mashkullore
– perioda të çrregullta ose të vonuara
Sindroma Cushing: Rezulton nga ekspozimi i trupit ndaj niveleve të larta të hormonit kortizol për një periudhë të zgjatur. Mund të ndodhë nëse merrni kortikosteroide për një kohë të gjatë ose nëse trupi prodhon shumë kortizol.
Hiperplazia jo-klasike kongjenitale e veshkave: Një formë më e butë e një gjendjeje gjenetike të njohur si hiperplazi kongjenitale e veshkave (CAH) që ndodh më vonë në jetë. Gjendja është shumë e rrallë dhe jo gjithmonë shkakton simptoma. Gratë që kanë simptoma përjetojnë ato që lidhen me androgjenin e tepërt, të tilla si: qimet e tepërta në fytyrë, mungesë flokësh në pjesën e përparme, perioda të çrregullta, infertilitet.
Tumor që sekreton androgjen: Ndodh shumë rrallë. Qimet e tepërta të shkaktuara nga këto lloje të tumoreve zakonisht rriten papritur dhe vazhdojnë të rriten edhe me trajtim mjekësor.
Kur të shkoni te mjeku
Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, duhet të shkoni te mjeku nëse përjetoni një rritje të shtuar të qimeve të fytyrës ose trupit gjatë një periudhe të shkurtër kohore. Rritja e qimeve që shoqërohet me simptoma të tjera, të tilla si akne, ndryshimi i zërit ose perioda të çrregullta gjithashtu duhet të vlerësohet nga një mjek. Një dermatolog mund të shohë rritjen e qimeve dhe të të përcaktojë kontrollet e mëtejshme bazuar te simptomat e tjera.
Largimi i qimeve të padëshiruara (disa opsione):
– piskatore
– rruajtje
– depilimi te një profesionist
– lazer
– elektrolizë
Burimet: Cleveland Clinic, American Academy of Dermatology, Healthline