Tjetri për parajsë. Almiri, Xheneta dhe fëmija im

Tjetri për parajsë. Almiri, Xheneta dhe fëmija im

Kam përjetuar diçka të tmerrshme si fëmijë. Kur isha 8 vjeç pashë babin e vrarë. Për të mos mjaftuar me kaq trosha e tragjedisë time familjare, në po të njëjtën ditë, mësova se më ishin masakruar shokët e bankës: Antigona, Jetoni. Pashë fotografitë e Valmir Deliut të masakruar. Që të gjithë nga fshati im: Abri.

Për të më mbajtur gjallë e shëndoshë në mendje, u përkujdesën familja ime. Më treguan se ishte luftë. Pra, Dafinë. Çdo gjë që po sheh përreth i thonë LUFTË.

Kur kuptova se ‘këto gjëra ndodhnin në luftë’ u pajtova me fatin tim. Një fëmijë i lindur në një vend në Ballkan, që po përjetonte tmerre dhe që ishte me fat që s’e kishte fatin e fëmijëve tjerë në fshat.

Mbi 17 vjet pas asaj gjendje, tani shoh…

Objekti i vjetër në Prizren, mbyt Xheneta Gashin, Dy fëmijë të familjes Mramori bien në gropë dhe vdesin, Almir Aliu shkelet qëllimisht nga një person në Maqedoni.

Këto pra janë raste të pasluftës. Por nga veprat e njerëzve që me çdo kusht duan të sjellën si heronj të çfarëdo periudhe. Pra, nuk ka rëndësi a mbytet një fëmijë si pasojë e moskujdesit të autoriteteve komunale ose qendrore në Prishtinë, nga një tango Gruevski – Ahmeti në Shkup. Ata thjesht duhet t’i shohim si heronjtë tanë. Nëse ‘lëshojnë’ një deklaratë për media, ku do të shprehin keqardhje për ‘rastin e ndodhur’, duhet t’u jemi mirënjohës dhe falënderues për tërë jetën. Nëse jo, duhet të pajtohemi se ata janë të zënë. Çka po prisni pra? Gëzojuni fotografisë së heroit tonë të gjallë, Menduh Thaçit me fanellën e Gjermanisë, teksa uron fansat as 24 orë pas varrimit të Almirit.

Gëzojuni atyre pak reagimeve nëpër Facebook nga ministrat, deputetët shqiptarë në Maqedoni për rastin e Almirit. Edhe nëse ua fshijnë komentet ku ju i kritikoni ata, mos u mbetet hatri. Sepse ata janë heronjtë tanë. Të cilët, në një farë mase, edhe vetë i kemi krijuar. Ua kemi lënë rolin e krijimit të komedive tona hyjnore e jo hyjnore. Të troshave të tragjedive tona të pasluftës. Sepse, mosreagimet dhe papërgjegjësia e tyre karshi këtyre rasteve, të shtyn të mendosh se për ta, këto tragjedi janë një ‘copë troshe’. Ata luten për fëmijët që humbin jetën si pasojë e politikave të tyre. I luten Zotit. Këtu ndaluni dhe qeshni. Përmendin parajsën e premtuar për fëmijët nga Zoti por jo ferrin që ua kanë krijuar vetë në tokë.

Në rrëfimin e tij ‘Tjetri për parajsë’, shkrimtari dhe gazetari polak Marek Hlsako paraqet një dramë shoqërore ku në një shoqëri, disa persona i përcjellë ‘fati i shkruar i heroizmit’. Prandaj, neve, na mbetet t’i shohim reagimet e heronjve tanë pa na mbetur hatri pse ato nuk shkruhen si dojmë ne dhe pse ato nuk pranojnë kritika nga ne. Sepse janë heronjtë që ua kemi shkruar fatin në kutitë e votimeve.

Dhe tragjeditë tona kolektive ose individuale, duhet t’i pranojmë, sepse na vinë nga heronjtë tanë. Vetëm ta përgatisim veten. Të bashkëndjejmë me familjet që përjetojnë këto tragjedi. Sepse jemi bërë të pafuqishëm përballë heronjve tanë.  Dhe sot, mund të jetë fëmija i një familjeje nga Kumanova, nga Prishtina, nga Prizreni, nga Dibra. Nesër, mund të jetë fëmija yt.

Shpërndaje në: