Mourinho nuk dështon në ndeshjen e 1000-të jubilare, Roma mposht Sassuolon në frymën e fundit
Roma ka arritur ta fitojë takimin me Sassuolon, ndonëse me shumë mund.
Në atë që ishte ndeshja numër 1000 në karrierën e Jose Mourinho, ‘Special One’ me skuadrën e tij mori tri pikë, me një fitore 2:1 ndaj Sassuolos, shkruan Periskopi.
Goli i parë në këtë takim u shënua nga mesfushori i skuadrës romake, Bryan Cristante, i cili në minutën 37’ shkundi rrjetën pas një asistimi të Lorenzo Pellegrinit.
Roma e mbylli pjesën e parë me një avantazh të lehtë, por këtë avantazh nuk e ruajti dot në pjesën e dytë.
Sassuolo arriti të reagonte me anë të Djuricic, atëherë kur luhej minuta e 57’ e takimit, por Roma gjeti forcë të kundërpërgjigjej prapë.
Golin e fitores e shënoi El Shaarawy në minutën e 90+1′, për t’i siguruar fitoren skuadrës së tij.
Roma kështu vazhdon startin perfekt duke marrë tashmë kreun e tabelës me nëntë pikë, kurse Sassuolo mbetet me katër pikë. /Periskopi/