Spanja paraqitet kundër Kosovës pa yllin e skuadrës – sulmuesi pësoi lëndim ndaj Suedisë
Federata Spanjolle e Futbollit ka lëshuar një komunikatë zyrtare lidhur me yllin e skuadrës së tyre, Gerard Moreno.
Sulmuesi i Villarreal, i cili njëkohësisht është në mesin e lojtarëve më në formë te Spanja, do të mungojë kundër Kosovës, përcjell Periskopi.
Lojtari ka ndjerë një komplikim në kofshën e djathtë dhe kësisoj është liruar nga kombëtarja.
Sipas njoftimit nga faqja zyrtare e Federatës Spanjolle të Futbollit, Moreno nuk do të zëvendësohet nga ndonjë lojtar tjetër.
Moreno do të kthehet te skuadra e tij, ku synon rikuperim në kohë për ndeshjet me klubin, pasi ekzaminimet nuk kanë treguar lëndim të rëndë. /Periskopi/