E konfirmon FFK: Lojtarët si Berisha, Toma e Domgjoni, mund të afrohen me procedurat e njëjta si Nedim Bajrami

E konfirmon FFK: Lojtarët si Berisha, Toma e Domgjoni, mund të afrohen me procedurat e njëjta si Nedim Bajrami

Lajmi për triumfin e Federatës Shqiptare të Futbollit ndaj FIFA-s, në instancën gjyqësore CAS (Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv), për rastin e Nedim Bajramit bëri bujë të madhe nëpër medie sot.

Sigurisht, një triumf i tillë i FSHF nxit një shpresë të madhe edhe tek Federata e Futbollit e Kosovës, por edhe te tifozëria ‘Dardanët’, që të kemi afrime të reja në radhët e Kombëtares së Kosovës. Emra si Mërgim Berisha, Toni Domgjoni e Bastien Toma, thuhej se nuk mund të zgjedhin më Kosovën, pasi kanë pasur paraqitje me kombëtare të tjera zinxhir, si 21 vjeçarë.

Rënia e formës së Kosovës në futboll, pas daljes nga Liga D e Ligës së Kombeve, ka bërë që shumë probleme të vihen në pah. Ndër problemet që merr hapësirën më të madhe për debat është pikërisht problemi i rifreskimit të skuadrës, me repartin e mesfushës tashmë në një problem që nuk po tejkalohet, shkruan Periskopi.

Shpresat ishin të mëdha që një problem i tillë të zgjidhej duke afruar lojtarë që janë rritur nëpër kombëtare të tjera, meqë Superliga e Kosovës vazhdon të jetë në hapat e parë të progresit. Gjithsesi, në kohën kur pritjet ishin të mëdha, lajmi për ligjin e ri të FIFA-s goditi fortë Kosovën. Në këtë kohë, vetëm një shqiptar ishte guximtar mjaftueshëm për të kërkuar ndërrim të kombëtares – Nedim Bajrami, nga Zvicra te Shqipëria. Zëra të shumtë insistonin se lojtari humbi karrierën me kombëtare, por me pak insistim edhe nga FSHF, e edhe me dëshirën e tij të madhe, sot ai dhe FSHF vërtetuan të kundërtën duke fituar procesin gjyqësor në CAS.

Menjëherë pasi u bë i ditur ky lajm, Periskopi ka shfaqur interesim nëse rasti mund të shënohet si precedent edhe për afrimin e disa emrave te Kosova. Pas disa kontaktimeve me burime brenda FFK, është kuptuar se është e mundur një gjë e tillë.

Brenda Federatës së Futbollit të Kosovës bëjnë të ditur se mund të ndiqen procedurat e njëjta sikur në rastin e Nedim Bajramit, dhe të fitohet edhe nga FFK një gjyqësor i tillë. Megjithatë, problem primar vazhdon të jetë hezitimi i emrave të lartpërmendur për t’iu bashkuar kombëtares së Kosovës.

Bajrami luante me kombëtaren e Zvicrës qysh nga gjenerata U15, por kjo nuk e pengoi atë që të zgjidhte në fund kombëtaren e Shqipërisë.

Bazuar në përgjigjen e marrë nga brenda FFK, Periskopi nënkupton se një pjesë të obligimit mbetet edhe mbi shpatullat e Federatës, njësoj siç FSHF i qëndroi pas deri në fund Bajramit. Gjithsesi ajo që duhet shmangur është dhënia e opsionit për disa lojtarë që të bëjnë marketing për veten mbi supet e FFK, duke vendosur kushte të pahijshme për të marrë vëmendje mediatike në mënyrë që të ftohen nga kombëtaret e huaja, ashtu siç bënte rasti i Andi Zeqirit, që tashmë veçse mori një ftesë nga selektori i ri i Zvicrës, Yakin.

Toma, Domgjoni e Berisha janë vetëm tre nga emrat që mund t’i bashkohen kombëtares së Kosovës, ndonëse asnjëri akoma nuk ka shprehur haptazi dëshirën për t’iu bashkuar Dardanëve. Të vetmet sinjale pozitive vijnë nga Toni Domgjoni, i cili në një paraqitje të mëhershme televizive linte të dilte në pah një dëshirë të fshehur për t’iu bashkuar kombëtares së Kosovës, shkruan Periskopi.

Domgjoni e Toma (Zvicër), por edhe Mërgim Berisha (Gjermani) kanë mbetur të paftuar edhe në grumbullimet e shtatorit te kombëtaret përkatëse. Berisha, përkundër paraqitjeve brilante te Salzburg, vazhdon të jetë i injoruar nga ‘Die Mannschaft’.

Kujtojmë se Federata Shqiptare e Futbollit pati në ndihmë edhe një kompani ligjore, me një avokat të fortë për të kompletuar dosjen e origjinës së Nedim Bajramit. Një hap i tillë nga FFK, për të siguruar edhe ndihmë të fortë nga jashtë, mund të ishte një shtysë dhe lehtësim për vendimmarrjen e lojtarëve të lartpërmendur, duke iu siguruar atyre paraqitje në futbollin me kombëtare. /Periskopi/

Shpërndaje në: