Gjilanin nuk e ndalon as VAR-i ndaj Feronikelit, Ballkani merr tri pikë ndaj Prishtinës në ‘Fadil Vokrri’

Gjilanin nuk e ndalon as VAR-i ndaj Feronikelit, Ballkani merr tri pikë ndaj Prishtinës në ‘Fadil Vokrri’

Kanë përfunduar edhe dy ndeshjet e fundit të xhiros së dytë në Superligën e Kosovës.

Prishtina – Ballkani dhe Feronikeli – Gjilani ishin dy ndeshjet që i dhanë fund xhiros, dhe në të dyja ndeshjet rezultati ishte identik, 0:1, shkruan Periskopi.

Në ndeshjen mes Feronikelit e Gjilanit, e cila u vendos nga Gerhard Progni që në minutën e 66’ shënoi nga penalltia për 0:1, rol luajti edhe VAR-i, që anuloi një gol në pjesën e parë.

Po ashtu, vlen të përmendet edhe kartoni i kuq i dhënë për Useinin, në minutën e 93′.

Gjilani mund të merrte fitore më të thellë, pasi Krasniqi gjente golin, por VAR-i e kapi në pozitë jashtë loje.

Në anën tjetër, në kryeqytet, fati i takimit u vendos nga perla e Ermal Krasniqit, i cili me një goditje perfekte nga jashtë zonës i dha fitoren Ballkanit, shkruan Periskopi.

Prishtina pati mundësi të rikthente situatën në favorin e saj kur në minutën e 74’ Gashi u largua me karton të kuq, duke e lënë Ballkanin me 10 lojtarë në fushë, por skuadra nga Theranda u mbajt mirë deri në fund.

Me fitoret e marra sot, Gjilani e Ballkani shkojnë në kuotën e katër pikëve, kurse Prishtina mbetet me 1 pikë. Feronikeli qëndron më keq, duke mbetur skuadra e vetme pa pikë në dy xhirot e para të Superligës. /Periskopi/

Shpërndaje në: