Barcelona merr tri pikë ndaj Getafe, vazhdojnë paraqitjet e mira të Memphis Depay

Barcelona merr tri pikë ndaj Getafe, vazhdojnë paraqitjet e mira të Memphis Depay

Barcelona ka marrë edhe fitoren e dytë në La Liga këtë edicion, duke mposhtur skuadrën e Getafe.

Rezultati 2:1 i siguroi tri pikë për skuadrën e Ronald Koeman, në një ndeshje ku Memphis Depay rikonfirmoi formën e tij të mirë, shkruan Periskopi.

Barca kaloi në epërsi qysh në minutën e dytë të takimit, kur Sergi Roberto shfrytëzoi mirë një harkim të Jordi Alba dhe dërgoi topin në rrjetë.

Getafe arriti të reagonte shpejtë në minutën e 19’, kur Sandro Ramirez, ish lojtar i Barcës, pas një kombinimi të mirë me Carles Alena, shënoi një gol të bukur për 1:1.

Kur kishin kaluar gjysmë ore lojë, Memphis Depay doli në skenë për skuadrën e tij. Ai, pasi pranoi një pasim nga Frenkie de Jong, arriti të driblonte mirë një kundërshtarë dhe lëshoi goditje të saktë tokazi në shtyllën e parë, për t’i rikthyer epërsinë katalanëve.

Ky gol i Memphis doli të kishte vlerën e tri pikëve në fund. Barca tashmë numëron shtatë pikë në tri ndeshje, kurse Getafe mbetet pa pikë. /Periskopi/

Shpërndaje në: