City e tmerron Arsenalin – Xhaka merr vëmendje për të keq

City e tmerron Arsenalin – Xhaka merr vëmendje për të keq

Manchester City po e konfirmon formën e lartë, ose Arsenal po dëshmon që nuk është askund. Kjo është dilema pas xhiros së tretë në Premier League.

Manchester City e ka demoluar skuadrën e Arsenal, duke e mposhtur me rezultatin 5:0, në kuadër të xhiros së tretë në Premier League, shkruan Periskopi.

‘Citizens’ e nisën furishëm takimin, duke gjetur dy gola të shpejtë në minutat 7’ dhe 12’, me anë të Gundogan e më pas edhe Ferran Torres.

Pak para fundit të pjesës së parë, të drejtuarit nga Pep Guardiola gjetën edhe golin e tretë. Kësaj radhe ishte Gabriel Jesus që u regjistrua në listën e realizatorëve, në minutën 43’.

Por, paraprakisht, në minutën 35’, Granit Xhaka bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Joao Cancelo, për t’u ndëshkuar me karton të kuq, dhe këtu u vulos dështimi i ‘Gunners’.

Pjesa e dytë nuk ishte asgjë më e lehtë për Arsenal. City gjeti golin e radhës me anë të Rodri, në minutën 53’, me një goditje precize nga distanca.

Rezultati final u vulos nga Ferran Torres, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të pestin në ndeshje për Cty, në minutën e 84’.

Manchester City tani shkon në kuotën e gjashtë pikëve, me një gol-diferencë 10:1, kurse Arsenal mbetet pa pikë, në pozitën e fundit, me statistika horror 0:9. /Periskopi/

Shpërndaje në: