Fansat e Arsenalit po kërkojnë t’i ndërpritet kontrata Willianit, pasi pëlqeu postimin e Chelseat për fitore
Willian i ka frustruar fansat e Arsenalit të dielën, pasi pëlqeu një postim të Chelseat në Instagram, ku festohej fitorja kundër ‘Topçinjëve’.
Anësori brazilian, 33-vjeçar, kaloi nga ‘Stamford Bridge’ në ‘Emirates’ një vit më parë, teksa nënshkroi kontratë tri-vjeçare me klubin, transmeton Periskopi.
Por ai u detyrua ta shikonte ndeshjen kundër ish-skuadrës së vetë nga shtëpia, për shkak të koronavirusit.
Mirëpo, kjo nuk e ndali atë që t’i frustronte fansat e Arsenalit.
Pas ndeshjes, ‘Të Kaltërit’ postuan një foto-grafike ku shfaqej rezultati 2-0 me një foto të Marcos Alonsos, Cesar Azpilicuetas dhe Jorginhos duke uruar golashënuesin Reece James.
Në nënshkrim, potencohej: ”Imagjinoni të mos jeni Chelsea.”
Dhe fansat syshqiponjë kishin vënë re pëlqimin e Willianit në këtë postim.
Një fans shkroi: ”Hiqni qafe këta agjentë të dyfishtë të Chelseat.”
Një tjetër tha: ”Willian pëlqen këtë në Instagram? Dhe ai pastaj dyshon pse nuk e duan fansat e Arsenalit…”
I treti shkroi: ”Përfundojani kontratën.” /Periskopi.com/