Agim Ademi shkel statutin e FFK-së me emërimin e avokatit Taulant Hodaj si u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm të FFK-së

Agim Ademi shkel statutin e FFK-së me emërimin e avokatit Taulant Hodaj si u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm të FFK-së

Ndonëse Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk ka mbajtur ndonjë takim që nga dorëheqja e Eroll Salihut më 5 gusht 2021, Agim Ademi tashmë ka emëruar ushtruesin e detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të FFK-së thuhet: “Presidenti Agim Ademi në bazë të kompetencave të tij, e ka emëruar sot Taulant Hodajn, ushtrues detyre të sekretarit të përgjithshëm të FFK-së. Hodaj ka qenë udhëheqës i Zyrës Ligjore të FFK-së, si dhe avokat, i cili e ka përfaqësuar FFK-në si në arenën ndërkombëtare edhe në atë vendore, teksa tash do të jetë edhe ud. Sekretar i Përgjithshëm”.

Mirëpo në Statutin e FFK-së, nenin 38, i cili përcakton kompetencat e kryetarit, emërimi i Sekretarit të Përgjithshëm apo i ushtruesit të detyrës së tij, nuk është i përfshirë. Kjo kompetencë, sipas nenit 52, i takon Komitetit Ekzekutiv, ndërkaq kryetari ka vetëm të drejtën e propozimit, si më poshtë:

Neni 52 Sekretari gjeneral (i përgjithshëm)

Sekretari gjeneral është shef ekzekutiv i Sekretariatit të përgjithshëm në FFK dhe është organi më i lartë operativ në FFK.
Atë e vendos Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, me propozim të kryetarit, në periudhë katërvjeçare dhe mund të zgjidhet përsëri. Ai lidh marrëdhënie pune me FFK-në, në bazë të Ligjit mbi punën të Kosovës.

 

Emërimi i Taulant Hodajt erdhi pas dorëheqjes së Eroll Salihut nga ky funksion, me arsyetimin e këtij të fundit, se tani e tutje dëshiron të merret me çështje profesionale sportive. Eroll Salihu tani mban funksionin e drejtorit për çështje sportive. Për Gazetën Sheshi ai kishte deklaruar: „kam kërkuar personalisht që të emërohem drejtor për çështje sportive dhe zyrtar i lartë ligjor. Unë do të vazhdoj me FFK-në, tani në një mënyrë më profesionale dhe jo administrative”.

I sapoemëruari u.d. Sekretar i Përgjithshëm, Taulant Hodaj, siç edhe i referohet njoftimi i FFK-së, në faqen e tij konfirmon se ka qenë i përfshirë në mbrojtjen e Agim Ademit, në rastin në të cilin ky i fundit ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ajo e Apelit me 9 muaj burgim për “detyrim në tentativë”.

“Ndjenjë e mirë që Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi ka vlerësuar kontributin tonë si avokat dhe zyrë e avokatëve!”, ka shkruar Hodaj. Në këtë postim ai bashkangjet prononcimin e Agim Ademit në faqen e FFK-së, me anë të të cilit Agim Ademi, pas kthimit në rigjykim të rastit të tij nga ana e Gjykatës Supreme, shpall pafajësinë e tij dhe njëkohësisht falenderon “avokatin e FFK-së dhe avokatët e tij të cilët bashkërisht kanë kontribuar për marrjen e një vendimi të drejtë dhe të ligjshëm”.

Kujtojmë që Ademi ishte shpallur fajtor për veprën penale, detyrim në tentativë dhe ishte dënuar me nëntë muaj burg, Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Seanca për rigjykimin e Agim Ademit ishte caktuar për datën 24 mars në ora 09:00 të mëngjesit. Seanca nuk ishte zhvilluar për shkak të mungesës së Agim Ademit. Avokati i tij, Labinot Murati, i pranishëm në sallë, kishte kërkuar shtyrjen e seancës me arsyetimin se Agim Ademi ndodhej në Turqi për shkak të një familjari të sëmurë. Bile, për këtë, avokati Murati kishte paraqitur edhe raportet mjekësore të familjarit të Ademit si prove. Por, Agim Ademi kishte qenë në zyrën e FFK-së në kohën kur gjykatësja e rastit, Medije Bytyqi, kishte aprovuar kërkesën për shtyerje të seancës për një afat të pacaktuar. Ai poashtu kishte ndjekur gjatë së njëjtës ditë dhe ditëve të mëpasme ngjarjet sportive të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Seanca e rigjykimit ishte shtyrë për afat të pacaktuar dhe nuk është mbajtur ende.

Shpërndaje në: