Atletico starton me fitore, mposht Celta Vigon duke iu falur shkëlqimit të Correa
Atletico Madrid dhe Celta Vigo nuk kanë kursyer spektaklin në xhiron e parë të La Liga.
Kampionët e La Liga e kanë nisur rrugëtimin e ri me fitore, duke triumfuar me rezultatin 1:2, në udhëtim ndaj Celta Vigo, shkruan Periskopi.
Angel Correa ishte lojtari i ndeshjes, duke shënuar dy herë.
Correa fillimisht shënoi në minutën 23’, pas një asistimi nga Thomas Lemar. Këtij goli iu kundërpërgjigj Iago Aspas, i cili në minutën e 59’ u tregua i saktë nga penalltia.
Correa u shfaq përsëri në skenë në minutën e 64’, për të shënuar golin që vendosi fatin e këtij takimi.
Pas këtij goli, deri në vërshëllimën e fundit pati edhe shumë kartona, nga të cilët dy ishin me ngjyrë të kuqe për Hugo Mallo dhe Mario Hermoso – të dy të ndëshkuar në minutën e 96’.
Kështu, Atletico merr tri pikët e para për këtë sezon, kurse për Celta pikët e para do të vonojnë së paku edhe një xhiro. /Periskopi/