Futbolli evropian vishet ‘Blu’: Chelsea mposht Villarrealin në finalen e Superkupës, me një dramë penalltishë

Futbolli evropian vishet ‘Blu’: Chelsea mposht Villarrealin në finalen e Superkupës, me një dramë penalltishë

Chelsea edhe zyrtarisht janë skuadra më e suksesshme evropiane e sezonit 2020/21.

Londinezët kaluan të parët në epërsi gjatë këtij takimi, kur në minutën e 27’ Hakim Ziyech shënonte për 1:0, pas asistimit të Kai Havertz.

Chelsea e mbylli pjesën e parë me avantazh, por në pjesën e dytë Unai Emery gjeti përgjigje për Tuchel.

Duhej të vinte minuta e 73’ që Gerard Moreno të gjente rrejtën dhe të rikthente balancën në rezultatin e ndeshjes.

Goli i Moreno ishte vendimtar për kohën e rregullt të finales dhe tani gjithçka do të vendoset pas vazhdimeve.

Megjithatë, as vazhdimet nuk treguan më shumë, duke bërë që penalltitë të jenë vendimtare. Në ekzekutimin e penalltive, gjendja mentale dhe saktësia ishte në favorin e Chelsea, të cilët edhe triumfuan.

Havertz ishte i pari që mori përsipër penalltinë, por ai nuk u tregua i saktë. Asenjo priti penalltinë e tij.

Për Villarreal i pari ishte Gerard Moreno, i cili gjeti rrjetën, duke i dhënë epërsinë Villarrealit, shkruan Periskopi.

Sikur Havertz nuk veproi shoku i tij i skuadrës, Azpilicueta, i cili barazoi shifrat në 1:1, ndonëse Asenjo i kuptoi anën. Për t’i bërë punët edhe më mirë për Chelsea, Mandi gaboi në penalltinë e tij. Kepa, që në ndeshje u fut në minutën e fundit, priti penalltinë, duke justifikuar veprimin e Tuchel.

Në raundin e tretë të penalltive, Chelsea e nisi duke shënuar, me Alonso që ishte i saktë në gjuajtjen e tij. Spanjollët reaguan mirë, kur në radhët e tyre Estupinan shënoi për 2:2.

‘Blutë’ vazhduan serinë  e mirë pas Havertz, duke qëlluar me anë të Mount. Villarreal shënuan me anë të Gomez, për të shkuar në raundin vendimtar me rezultatin 3:3.

Jorginho, ai që njihet si specialist i penalltive, dëshmoi veten, duke shënuar penalltinë e pestë. Njësoj kanë bërë edhe Raba, Pulisic, Foyth e Rudiger, deri kur gaboi Raul Albiol, për t’u bërë fytyra tragjike e ndeshjes, me Kepa që bëri heroin.

Chelsea kështu kanë veshur futbollin evropian me të kaltër, duke fituar Champions League dhe Superkupën. /Periskopi/

Shpërndaje në: